Besimtarët katolikë në kryeqytet kremtuan të Premten e Madhe në sheshin “Nënë Tereza”, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit fetar që përkujton vdekjen e Jezu Krishtit.
Ceremonia u udhëhoq nga Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj, ndërsa shumë qytetarë morën pjesë për të ndjekur ritualin dhe për të përkujtuar vuajtjet e Krishtit deri në kryqëzim.
Gjatë ceremonisë, besimtarët ndoqën ritin simbolik të varrimit, me këngë vajtuese dhe lutje, duke shprehur dhimbjen për këtë moment të shenjtë. Ky ritual lidhet me traditën e përgatitjes shpirtërore për Pashkët dhe ringjalljen e Krishtit.
E Premtja e Madhe mbetet një ditë reflektimi dhe lutjeje për besimtarët, që shënon sakrificën dhe shpresën për jetën e re.





