Pep Guardiola është shfaqur në konferencë për shtyp në prag të sfidës me Notinghem Forestin. Trajneri katalanas ka shpjeguar situatën e fundit që po kalon në krye të Sitit, ku numri i ndeshjeve radhazi pa fitore po rritet nga java në javë. Guardiola është shprehur se kurrë nuk ka qenë i qetë te “qytetarët”, por situata dukej ndryshe në media pasi rezultatet ishin në favor të tij. Nuk kanë munguar as krahasimet e tij me Murinjon. Ky i fundit, në kohën kur ishte në drejtimin e Mançester Junajtedit, u tregoi gazetarëve sa tituj kampionë kishte fituar në Angli. Një veprim të cilin e kreu edhe Guardiola në përballjen e fundit kundër Liverpulit, ku i bëri me shenjë tifozëve kundërshtarë numrin e titujve kampionë të fituar me Sititn.
Guardiola është përgjigjur se shpreson që ky të mos jetë fundi i tij siç ndodhi me Murinjon, por ka theksuar më tej se portugezi fitoi vetëm 3 Premier Liga, ndërsa ai ka fituar dyfishin. “Kurrë nuk kam qenë i qetë. A e di përse kam qenë i qetë? Sepse ne fitonim. Kur fiton dukesh shumë i qetë, i bukur, i mirë. Kur nuk fiton është tërësisht e kundërta. Kur Murinjo tregoi se kishte fituar tre Premier Liga ishte fundi për të? Shpresoj të mos jetë në rastin tim. Në një pikë ndoshta jemi të ngjashëm me Zhozenë. Por ai fitoi 3 dhe unë kam fituar 6. Herët a vonë fundi do të vijë. Sigurisht që do të ndodhë. Por unë do të përpiqem ta shtyj sa më shumë për të mirën e klubit tim. Është e mërzitshme që shihni të njëjtin person prej 9 vitesh”, ka deklaruar Pep Guardiola.