Itali, 30 korrik 2014 – Verona bën atë që nuk ka bërë Kombëtarja U-21 e Shqipërisë. Klubi i Serisë A ka blerë talentin shqiptar Hysen Memolla, i cili do jetë pjesë e ekipit të parë për edicionin e ardhshëm. Mbrojtësi 22-vjeçar është aktivizuar me skuadrën e Martinës në kategorinë C2 të kampionatit italian, por pavarësisht ligës inferiore, ai ka arritur të tërheqë vëmendjen e mjaft klubeve cilësore. Pikërisht ditën e djeshme, ka qenë Verona që ka komunikuar blerjen zyrtare të kartonit të lojtarit dhe ka depozituar dokumentet në Federatë, për ta regjistruar si lojtarin më të ri. Talenti do t’i bashkohet menjëherë pjesës tjetër të ekipit, të cilët janë të grumbulluar në fazë përgatitore në Val Ridana, nën urdhrat e trajnerit Andrea Mandorlini.
Pavarësisht se ka hedhur një hap të rëndësishëm për karrierën, duke u bërë pjesë e një ekipi të Serisë A, duket se Memolla nuk e pati bindur trajnerin Skënder Gega për të qenë pjesë e Kombëtares U-21. Ai është grumbulluar nga data shtatë, deri më 10 maj të vitit 2012, si pjesë e 29 lojtarëve që grumbulloi dhe vendosi të vëzhgojë nga afër tekniku i Shpresave. Gjithsesi, duket se nuk arriti të tregojë cilësitë e duhura për t’u bërë pjesë e përfaqësueses. Tashmë, dy vite më pas, ai fitoi vëmendjen dhe interesin e një prej klubeve më të spikatur në vitet e fundit për zbulimin e talenteve të rinj. Madje, në edicionin e kaluar, Verona arriti të bëjë një paraqitje dinjitoze në Serinë A, duke arritur që në merkaton e kësaj vere të përfitojë shifra shumë të majme nga shitja e talenteve, mes të cilëve Iturbe. Mbrojtësi shqiptar Memolla është një tjetër emër që i shtohet kategorisë më të lartë të futbollit fqinj, si vazhdë e shumë emrave që janë aktivizuar, por që gjithashtu kanë qenë pjesë e Kombëtares.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





