Deputetja e Partisë Demokratike, e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, shkrimtarja Flutura Açka i ka dedikuar një postim prekës 22-vjeçares Aurora Basha, e cila humbi jetën ditën e djeshme në një aksident tragjik në Lushnje teksa po udhëtonte me taksi.
Açka zbulon se me të renë është njohur gjatë fushatës elektorale të PD-së dhe ndërsa i ka shprehur ngushëllimet familjarëve, shkruan se energjia e saj do u mungojë të gjithëve.
“Pushofsh në paqe Aurora Basha, faleminderit për ditët e bukura e të vrullshme që ndave me ne në fushatë. Fytyra jote e paqtë dhe rinia jote e këputur do t’i mungojë auditorëve të universitetit, edhe neve që të njohëm e të deshëm. Në emër të të gjithë shtabit elektoral, i përcjellim ngushëllime familjes. Qoftë hera e fundit që rrugët shqiptare përgjaken kësisoj.”
Kujtojmë që aksidenti ndodhi të premten në fshatin Bubullimë të Lushnjes, ku humbi jetën taksisti Xhezmi Oshafi, 68 vjeç, banues në Berat dhe 22 vjeçarja Aurora Basha e cila ka qenë pasagjere.
Makina me të cilën po udhëtonin ka qenë me shpejtësi të lartë dhe si pasojë ka rënë nga ura në kanal dhe është kthyer përmbys.





