Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme para bashkisë së Durrësit, ku një grua ka tentuar të vetëdigjet me benzinë.
Fatmirësisht kalimtarët e rastit dhe policët bashkiakë që ndodheshin në sheshin “Liria” kanë ndërhyrë menjëherë dhe e kanë ndihmuar gruan të largojë rrobat e djegura nga trupi, duke pësuar djegie vetëm në këmbë.
Gruaja, e cila ishte ende e tronditur dhe me zërin që i dridhej, nuk arriti dot të shpjegonte qartësisht arsyet që e shtynë drejt këtij akti ekstrem, por tha se gjithçka e bëri prej problemeve ekonomike dhe se fëmijët e kishin braktisur, raporton “DurrësLajm“.
Nga burimet policore, “DurrësLajm” mëson se gruaja është identifikuar si shtetasja F. Gashi, 58 vjeçe nga Durrësi.
Ajo u transportua me autoambulancë drejt spitalit të Durrësit, ku do të mbahet nën kujdesin e mjekëve.