Ndërron jetë në mënyrë tragjike një fëmijë 1-muajsh në Durrës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm tek Ura e Dajlanit, ku fëmija 1-muajsh ka kaluar natën bashkë me nënën e tij 18-vjeçare. Sipas deklaratave të nënës që i përket komunitetit rom, e cila është e pastrehë dhe e divorcuar, ajo bashkë me foshnjën e kanë gdhirë mëngjesin e sotëm duke fjetur poshtë urës, dhe si pasojë foshnja ka gjetur vdekjen duke mos i rezistuar dot motit të acartë të këtij dhjetori.

18-vjeçarja Vojsava Sinani, me origjinë nga Berati, prej dy javësh kishte ardhur në qytetin e Durrësit, pasi bashkëshorti e kishte dëbuar nga shtëpia pas lindjes së vajzës. Ajo shprehet se flinte në rrugë, së bashku më foshnjën e porsalindur, por tragjikisht sot, vajza e saj ngriu nga i ftohti.

(Në foto, 18-vjeçarja Vojsava Sinani)

Dëshmitarët okularë bëjnë me dije, se bashkë me 18-vjeçaren nga Berati, poshtë Urës së Dajlanit flinin edhe rreth 10 persona të tjerë, po ashtu të pastrehë.

Një punonjëse e Pastrim-Gjelbërimit që e ka parë këtë situatë të dhimbshme çdo natë, ka dashur të parandalojë një tragjedi të mundshme. Punonjësja (në foton më poshtë) pohoi për “DurresLajm” se i ka thënë shpeshherë 18-vjeçares që ta dërgonte fëmijën në një jetimore, ku të paktën do të kishte një vatër të ngrohtë ku të kalonte natën dhe ushqim për të ngrënë. Por, Vojsava nuk ka dashur ta shkëpusë nga gjiri vajzën, megjithëse rrinin në mes të ftohtit dhe të pangrëna. 

Për ngjarjen e rëndë, policia ka nisur hetimet, ndërsa trupi i foshnjës ka mbërritur në spitalin e Durrësit ku do t’i nënshtrohet ekspertizave mjeko-ligjore.