Një ngjarje tronditëse ka ndodhur ditë më parë në Ilion të Greqisë, ku një adoleshent 16-vjeçar është sulmuar në mënyrë brutale nga një 20-vjeçar, i cili i vuri zjarrin në kokë duke përdorur lëng dezinfektues.

Sipas burimeve të protothema.gr, incidenti ndodhi të shtunën, më 5 korrik, në banesën e një miku të viktimës.

Mediat greke shkruajnë se gjatë kohës që 16-vjeçari ndodhej në shtëpi, në dhomë hyri një 20-vjeçar që ai nuk e njihte mirë dhe iu afrua pa ndonjë arsye të qartë.

Pa paralajmërim, 20-vjeçari dyshohet se i spërkati kokën adoleshentit me një substancë dezinfektuese dhe më pas i vuri flakën me një çakmak.

Sipas dëshmisë së viktimës dhënë autoriteteve, ai ishte ulur në divan kur sulmuesi iu afrua nga pas, i hodhi lëngun në kokë dhe më pas e dogji, duke i shkaktuar djegie në flokë dhe fytyrë.

Menjëherë pas ngjarjes, 16-vjeçari u dërgua me ambulancë në Spitalin Pediatrik “Agia Sofia” në Athinë. Ndërkohë, 20-vjeçari u arrestua ditën e nesërme nga policia, ndersa kane nisur hetimet për rrethanat dhe motivet e këtij sulmi të rëndë.