Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Durrës.

3 të rinj po ndiqen penalisht nga policia për konsumimin e veprave të ndryshme penale gjatë një konflikti fizik që ka degjeneruar deri në kanosje të një familjeje.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, dinamika e ngjarjes është zhvilluar në këtë mënyrë:

32-vjeçari Gj.K. është konfliktuar për motive të dobëta me 29-vjeçarin A.K. të cilin e ka goditur me sende të forta, duke e lënë të plagosur lehtë.

Por sherri i dhunshëm ka degjeneruar edhe më tej, pasi në të janë përfshirë dy të rinj të tjerë.

22-vjeçari I.C. dhe 21-vjeçari G.C. kanë shkuar tek shtëpia e dhunuesit Gj.K. kanë hyrë me forcë brenda saj dhe kanë kanosur pjesëtarët e familjes, të cilët janë tmerruar.

Pasi janë bërë denoncimet përkatëse në polici, kjo e fundit ka nisur procedimin penal për shtetasit Gj.K, I.C dhe G.C.

Ata akuzohen për konsumimin e veprave penale të parashikuara nga nenet 89, 112 dhe 84/2 të Kodit Penal.