Një nënë monstër nga Gjakova ka qëlluar me gurë në trup foshnjën e saj të porsalindur, për ta lënë të vdekur një ditë pasi A.M. erdhi në jetë. Më pas 32 vjeçarja, e varrosi trupin e foshnjës në oborrin e një objekti të boshatisur, pak metra larg shtëpisë së saj në rrugën “Dëshmorët e Morinës” në Gjakovë. Express sjell detaje të këtij krimi mizor që kreu nëna rome nga Gjakova, përmes rrëfimit të vëllait të saj dhe mjekëve që asistuan në lindje.
Për shtatzëninë e Lauresha Maliqit, 32 vjeçe, nga Komuna e Gjakovës, nuk kishin ditur gjë familjarët e saj. Për nëntë muaj rresht, Lauresha, kishte arritur që ta fshihte barkun e fryrë nga familja, ndonëse jetonin në të njëjtën shtëpi.
Gjithçka rreth shtatzënisë së saj u mor vesh para dy ditëve. Kishte qenë nëna e saj ajo e cila e kishte vërejtur. Por vetëm një ditë pas, pasi që familja e mori vesh se Lauresha ishte shtatzënë, asaj i erdhi koha që të linde.
Ajo u dërgua në spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë. ‘Isa Grezda’. Më datë 21 mars ajo kishte sjellë në jetë një foshnje të gjinisë femërore. Rreth 3 kilogramë e gjysmë ishte pesha e foshnjës. Por foshnja, A.M, u privua nga jeta prej personit i cili e kishte sjellë atë në jetë.
Për këtë ngjarje të rëndë, nga familja e së dyshuarës për vrasjen e foshnjës thonë se ndihen të dëshpëruar. Familja për Gazetën Express ka rrëfyer për këtë ngjarje të rëndë.
Vëllai i Laureshës, Benjamini, thotë se ditën kur motra e tij e kishte kryer aktin e rëndë, ajo ishte kthyer në shtëpi me duart plotë gjak. Thotë se nuk e di se di se më kënd e ka fëmijën motra e tij.
Në familjen e Laureshës deklarojnë se ajo zgjodhi t’ia marrë jetën vajzës së saj në mënyrën më të rëndë. E mbyti atë me gurë dhe e varrosi në një objekt të boshatisur.
“Ne nuk e kemi pa foshnjën veç se për gjendjen e saj policia na thënë që e mbytë me gurë ka qenë, se ka pas shenja në trup. Dhe pastaj ajo e kish marrë vajzën dhe e kish varrosë nën gurë”, rrëfejnë nga familja.
Ai deklaron se para disa viteve, motra e tij, kishte qenë e martuar me një person me të cilin e ka edhe një vajzë rreth moshës gjashtë vjeçare.
“Para 5 vjetëve ajo ka qenë e martuar. Deri dje ajo këtu ka qenë duke jetuar me neve. Na as nuk e kemi ditë që ajo është shtatzënë. Ka qëndru këtu një kat më lartë në shtëpi. Nana ka ardhë dhe më ka tregu që është shtatzëne. Ka lindë, tani e ka qu e ka mbytë. S’do çka ka ndodhë. Ajo ka ardhë në shpi. Na ja kemi pa krejt duart gjak i ka pasë. Foshnjën ajo e ka mbytë dhe e ka lanë aty. Për këtë punë ne po ndihemi shumë keq”, thotë ai me lot në sy.
Por në këtë familje thonë se nuk do ta marrin foshnjën e mbytur a për t’ia kryer ceremonitë mortore.
“Sot na thanë policia që të shkojmë që ta marrim foshnjën për me e varrosë. Po ne nuk pranojmë që ta marrim kufomën se nuk kemi kushte për me e varrosë”, thonë nga familja e Laureshës.
Mjekët: Nëna dhe foshnja pas lindjes nga spitali dolën në gjendje shumë të mirë shëndetësore
E zyrtarë nga Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, Isa Grezda, japin detaje rreth procesit të lindjes së vajzës tashmë të ndjerë të Lauresha Maliqit si dhe gjendjes shëndetësore të nënës dhe vajzës pa lindjes.
Drejtori ekzekutiv i spitalit, Ahmet Asllani ka shpjeguar të premten për Express rreth kësaj ngjarjeje.
“Pacientja Lauresha Maliqi, kishte pasur shtatzëninë e dytë. Ka lindë sponatan në maternitetin e spitalit ‘Isa Grezda’ në Gjakovë. Ajo ka ardhur me datë 21.03.2018 dhe ka lindë në orën 11:00 në sallën e klinikës obstetrike të Klinikës së Gjakovës. Ajo ka qëndru 24 orë në spital. Ajo dhe bebja janë vizituar nga mjekët neonatolog të klinikës sonë”, thotë doktori.
Ai tregon se bebja ka lindur me peshë 3 kilogramë e 130 gram si dhe ka qenë në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
Mirëpo ai deklaron se e ëma e vajzës fillimisht kishte deklaruar në spital pas lindjes se nuk e do vajzën. Por ajo ishte bindur nga ana e punëtorëve social që ta mbante foshnjën.
“Nëna në spital fillimisht ka deklaruar se nuk dëshiron që ta marrë beben, por atë e kanë bindur punëtorët social tanë që ta marrin. Të dyja, si vajza ashtu edhe nëna në gjendje shumë të mirë kanë dalë nga spitali pas orës 13:00 të ditës së djeshme”, thotë doktori, Ahmet Asllani.
Policia: ‘Rast me motive të ulëta’
E nga policia e Gjakovës po thonë se ky rast po cilësohet si rast me motive të ulëta. Zëdhënësja e policisë rajonale në Gjakovë, Lirije Podrimja ka treguar të dhëna për rastin.
“Dje më datë 22 mars 2018, rreth orës 15;30 në stacionin policor të Gjakovës ka ardh një ankuese e cila ka raportuar se vajza e saj e moshës 32 vjeçare ka qenë në spitalin rajonal në repartin e lindjeve në Gjakovë dhe është kthyer në shtëpi pa foshnjën e saj. Policia menjëherë ka dal në vendin e ngjarjes dhe e kanë gjetë foshnjën e vdekur një ditë më parë. Policia e ka njoftuar ekipin mjekësore ku po ashtu e kanë konstatuar vdekjen”, thotë Podrimja.
Ajo deklaron se motivet e kësaj ngjarjeje nuk dihen.
“Hetimet rreth motiveve janë duke u zhvilluar. Por hetimet janë duke u konsideruar si motive të ulëta”, ka deklaruar ajo.
Trupi i pajetë i foshnjes u dërgua për autopsi në Insitutin e Mjekësisë Ligjore./GazetaExpress