Trajneri i Teutës, Renato Arapi, ka theksuar se e rëndësishmja në ndeshjen me Dinamon ishin 3 pikët dhe skuadra i kishte siguruar ato.

Tekniku i emëruar në stolin e bregdetarëve bëri të ditur në “Super Sport” se skuadra kishte bërë mirë, pro kishte vend për përmirësim.

“E rëndësishme pas atyre rezultateve është të kthehemi pak të fitorja.

E nisëm shumë mirë, bëmë ndryshime që rezultuan pozitive, në zhvillimin e lojës kemi bërë mirë duke dalë disa herë para portës. Edhe te goli, po ta shohim, mënyra e vendosjes ishte ajo që detyroi kundërshtarin të gabojë.

Unë në përgjithësi jam i kënaqur, është skuadër e ndërtuar për të qenë lart. Patëm oscilacionet tona, por kam bindjen që në çdo ndeshje do të rritim mënyrën e lojës, do të bëjmë mirë dhe do të përmirësohemi se kemi shumë për të përmirësuar.

Me Shkëmbin patëm vetëm përshëndetje dhe urim për të ardhmen. Të dy ekipet vijmë nga disa ndeshje jo të mira, edhe dëshira e skuadrës ishte për t’u admiruar sot.U konsumuam shumë në pjesën e parë, por vjen nga dëshira për të marrë e ruajtur tre pikët. Kundërshtari u mundua të na vërë në trysni, e rëndësishme është që arritëm ta menaxhonim si duhet, shpresoj të jetë ogur i mirë për vazhdimësinë e kampionatit.

Në këtë periudhë të shkurtër jemi munduar të punojmë në mbrojtje se kemi pasur probleme por sigurisht që në vazhdimësi do të punojmë edhe për manovrën sulmuese e të shpresojmë të përmirësohemi sa më shumë.

Ka shumë gjëra për të përmirësuar. Sa i përket merkatos mendoj se është herët, nuk është mirë të flasim për emra. Çdo klub ka strategji e mendojnë për përforcime, por e dimë të gjithë që të gjesh lojtarë cilësorë e të lirë është e vështirë.

I kemi mëshuar faktit që edhe vjet kemi pasur diferencë prej 11 pikësh dhe arritëm të fitonim kampionati. Këtë vit është edhe më e vështirë se ka ekipe të forcuara goxha.

Me ardhjen e Dinamos është bërë edhe më e vështirë por edhe më i bukur”, tha Arapi.