13gusht 2015 – Një taksë për qentë e luksit është e reja e fundit e bashkisë së Tiranës. Këshilli Bashkiak ka diskutuar sot taksat për qytetarët, ku mes tyre tërhiqte vëmendje edhe një taksë për “qentë e luksit”. Kjo taksë ka nxitur debate mes kryebashkiakut Veliaj dhe këshilltarëve të PD-së.
“Po përçudnoni sigurinë fiskale të qytetarëve të Tiranës. Nuk mund të pranohet që një qytetar i Tiranës të paguajë më shumë sesa një tjetër qytetar i Tiranës që jeton në një nga komunat që i janë bashkuar Tiranës. Sot qytetarët e Tiranës do të paguajnë edhe taksën mbi qentë e luksit”, janë shprehur këshilltarët demokratë.
Ndërkohë Veliaj ka ironizuar duke kujtuar qenin e Shkëlzenit, djalit të ish-kryeministrit Berisha.
“E dini pse u vu kjo taksë? Sepse Shkëlzen Berisha kishte 3 qen dhe një kalë dhe Bardh Plaku mendoi se këto kafshë që kishte Xeni ndotnin më shumë dhe kishin kosto në pastrimin. Nëse sot opozita synon t’i heqë taksën për qenin e Zenit, atëherë unë s’kam ndërmend të merrem me ju, pasi Tirana ka nevojë për punë, ka nevojë për pastërti dhe që shkollat dhe kopshtet të jenë gati të presin fëmijët dhe nxënësit. Nëse ju keni prioritet taksën e qenit të Xenit, kjo nuk është prioritet për banorët e Tiranës”, tha Veliaj.
Nga ana tjetër, djali i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzeni, ka reaguar me një status në facebook, të titulluar: Rama katet e pallatet, Eri kafshet dhe hallatet. “Kryetari i vertete merr vendimet e medha dhe "taksen" per katet e pallatet, ky qe te permend ty merr vetem taksen per kafshet dhe hallatet qe ndotin monumentin e pavaresise tek parku Rinia”.
Por, portali lapsi.al ka një tjetër dilemë: Kjo taksë e “cuditshme” pë qentë e luksit, le vend për debat. Fjala vjen a do të ketë një taksë edhe për papagallët, si ai që mban edhe kryeministri Rama???
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/