Janë vërtet nga frutat më të kërkuara, më të shijshme e më të dashura të vjeshtës.

Në Shqipëri, konsumi i tyre është padyshim i lartë. Interesi për kultivimin e kësaj peme frutore sa vjen dhe rritet duke kaluar nga pemë oborresh në pemë për kultivim.

Ekspertët e AgroWeb.org bëjnë të ditur se hidet mund të rriten lehtë në pothuajse të gjitha llojet e klimave.

Sipas tyre, pema e Hides rritet në klimë të butë e të thatë. Kjo pemë e duron klimën e ftohtë në dimër, madje mbijeton edhe deri në -15 gradë celcius.

Fama e Hideve Shqiptare

E ndërsa shitja e Hideve në tregun vendas është shndërruar në një biznes fitimprurës, fama e tyre po kapërcen kufijtë e Europës. Ky frut ka njohur tregje të reja drejt Amerikës dhe Australisë falë komuniteteve të diasporës.

Të nxitur nga kujtimet dhe nostalgjia e shijes së këtyre frutave fantastike që rriteshin në avllitë a bahçet e shtëpive të tyre të dikurshme, shqiptarë që tashmë prej vitesh jetojnë në SHBA apo edhe Australi, kanë nisur t’i shndërrojnë Hidet në një biznes të vërtetë fitimprurës.

Duke u furnizuar me fidanë nga Shqipëria, AgroWeb.org raporton se ata kanë nisur kultivimin e hideve në toka të marra me qira për periudha afatgjata, me qëllim shndërrimin e tyre në ferma.

Histori suksesi

Hidet në Amerikë apo Australi janë fruta të rralla shumë pak të njohura apo familjare. Në këto vende hidet nuk kultivohen dhe njihen vetëm nga importi, por kërkesat e komuniteteve ballkanike për to është e konsiderueshme.

Ky është faktor i rëndësishëm që ndihmon disa shqiptarë të jenë të suksesshëm në iniciativën e tyre.

Sokol Ndreu, jeton prej 20 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Boston. Prej dy vitesh, ai ka nisur kultivimin e hideve në një fermë të vogël në periferi të qytetit.

Ndreu tregon për AgroWeb.org  mbi nisjen e këtij kultivimi, i cili siç thotë ai ka nisur të japë shenjat e para të kënaqshme financiare.

“Hidet për momentin janë frutat ku ne kemi pritshmëri për fitimet e biznesin tonë. Bashkë me familjen ne zotërojmë një fermë ku kultivojmë disa kultura frutash dhe perimesh.

Më të veçanta janë hidet, nuk njihen shumë këtu dhe kjo na ndihmon në shitje.

Mbi të gjitha fidanët e tyre i kemi porositur dhe na kanë ardhur nga Shqipëria.

Tërhiqen shumë si fruta, jo vetëm nga komuniteti shqiptar këtu, por mbi të gjitha nga vetë amerikanët që i konsiderojnë bio”, thotë Ndreu në një bisedë për Agroweb.org.

Hidet jo vetëm në SHBA

Stefan Mino i vendosur në veri të Queensland, Australi prej më shumë se 18 vitesh, ndan me AgroWeb.org eksperiencën e tij.

“Gjithçka nisi rreth 5 vite më parë. Tashmë ne kemi krijuar tregun tonë përsa i përket Hideve, madje edhe hurmave farëzeza, sigurisht bashkë edhe me prodhimet e tjera.

Fillimisht eksperimentova me kultivimin e tyre. Kur pamë që gjithçka eci mirë, ndërmora hapin e shumëpritur duke nisur prodhimin e tyre.

Fidanët i kemi siguruar nëpërmjet miqve që takojmë kur vijmë në Shqipëri”, shprehet Mino për AgroWeb.org.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, fidanët e hideve shqiptare janë sot mjaft të kërkuara edhe në Evropë. Madje ka kërkesa në rritje prej vendeve fqinjë, Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi. /AgroWeb.org/