Luçiano Spaleti ka drejtuar këtë të hënë ndeshjen e tij të fundit si trajneri i përfaqësueses së Italisë, pasi është shkarkuar nga drejtimi i saj pas zhgënjimeve të fundit. Por duket se nuk do të qëndrojë gjatë pa punë, pasi ka marrë një ofertë të parefuzueshme.

Mediat italiane bëjnë të ditur se klubi i Al Nasr i ka bërë një propozim me shifra marramendëse trajnerit italian, që të ulet në pankinën e tij për sezonin e ri.

Aktualisht klubi drejtohet nga Stefano Pioli, por palët do të prishin kontratën pasi tekniku do të kthehet të drejtojë në Serinë A, ku e pret krahëhapur Fiorentina. Kështu, Pioli do të prishë një kontratë nga e cila përfitonte 12 milionë euro në vit.

Një shifër që raportohet se do të rritet ndjeshëm për Luçiano Spaletin, i cili vlerësohet më shumë nga arabët.

Bëhet e ditur gjithashtu se kjo ide e drejtuesve të klubit është mbështetur edhe nga Kristiano Ronaldo i cili ka dhënë pëlqimin e tij. Ndaj palët do të nisin shpejt negociatat për të formalizuar akordin mes tyre.