Kryebashkiakja e Durrësit, njëherësh dhe kandidate e PS-së në garën për kreun e bashkisë, Emiriana Sako, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, kanë votuar pak minuta më parë në qendrën e votimit 1461/1.

Pas hedhjes së votës në kutinë e votimit, Sako u ndal para gazetarëve për t’i falënderuar për punën që po bëjnë sot në mbulimin e procesit zgjedhor si dhe për të ftuar masivisht durrsakët të dalin të votojnë.

“Faleminderit të gjthëve që jeni sot për të mbuluar procesin në qytetin e Durrësit. Shpresoj që do të jetë një proces që do të shkojë mirë deri në fund të ditës, dhe do të jetë i qetë.

Përfitoj nga rasti të ftoj të gjithë qytetarët e Durrësit të marrin pjesë masivisht në këtë moment kaq të rëndësishëm për të vendosur për të ardhmen e qytetit tonë”, tha Sako.

Ishte parashikuar që Sako të votonte rreth orës 10:00, por në këtë qendër votimi me nr. 1461/1 u pezullua për disa momente procesi i votimit mëngjesin e sotëm për shkak të bllokimit të pajisjes identifikuese të gjurmës së gishtit. Pas rregullimit të pajisjes që pësoi defektin teknik, procesi rifilloi normalisht.