Instruktor sërfi, roje plazhi dhe aktor: Tamayo Perry mund t`i bënte ballë detit pa vështirësi.

Por jo edhe sulmit të një peshkaqeni: 49-vjeçari, i cili mori famë me pjesëmarrjen në filmin “Piratët e Karaibeve”, nuk i mbijetoi dot incidentit të ndodhur teksa bënte sërf në Hauai.

Ekipet e shpëtimit shkuan menjëherë në plazhin Malaekahana pas marrjes së njoftimit, por nuk mundën ta shpëtonin dot aktorin i cili ishte shfaqur edhe tek “Charlie’s Angels”, ndërsa kishte interpretuar edhe në serialin “Lost” e në disa filma të tjerë.

I lindur në pjesën lindore të Oahu, Perry ishte një sërfist profesionist prej më shumë se një dekade. Ai vetë kishte pohuar se disa vjet më parë, ishte përfshirë në një incident të frikshëm i cili qe shndërruar në një eksperiencë thuajse fatale për të.

Aktori nuk e pati sqaruar saktësisht se për cfarë bëhej fjalë, por thoshte vetëm se gjithçka kishte ndodhur për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit të dikujt tjetër. Kryetari i bashkisë, Rick Blangiardi e quajti vdekjen e Perry-t “një humbje tragjike”.

Ai e përshkroi si një sërfist legjendar dhe shumë të respektuar dhe bëri thirrje që familjes t`i jepet në këto momente privatësi për të vajtuar. Pas ngjarjes, autoritetet postuan paralajmërime për rrezikun nga peshkaqenët në zonë.