Egjipti është duke e ndërtuar një mur dhe duke e rrafshuar tokën në afërsi me kufirin me Rripin e Gazës, në prag të një ofensive të planifikuar të Izraelit në qytetin kufitar, Rafah, tregojnë pamjet satelitore të analizuara nga Associated Press të premten.

Egjipti, i cili nuk e ka pranuar publikisht se po ndërton mur, e ka paralajmëruar Izraelin vazhdimisht të mos i dëbojë me forcë mbi 1 milion palestinezë, të cilët janë zhvendosur në Rafah, drejt tokës egjiptiane gjatë betejës së tij kundër grupit radikal palestinez, Hamas.

Megjithatë, përgatitjet në anën egjiptiane të kufirit në Gadishullin Sinai lënë të kuptohet se Kajro është duke u përgatitur për pikërisht për këtë skenar, dicka që mund ta kërcënojë marrëveshjen e paqes mes Izraelit dhe Egjiptit nga viti 1979.

Qeveria egjiptiane nuk iu përgjigj kërkesës së Associated Press për koment. Ministria e Jashtme e Egjiptit e paralajmëroi Izraelin më 11 shkut kundër një ofensive të mundshme në Rafah dhe kundër “zhvendosjes se popullit palestinez”.

Imazhet satelitore, të shkrepura nga Maxar Technologies, shfaqin punën e vazhdueshme ndërtimore në mur, i cili ndodhet përgjatë rrugës “Sheikh Zuweid-Rafah Road, rreth 3.5 kilometra në perëndim të kufirit me Gazën. Ato shfaqin vinça, kamionë dhe pengesa të parapërgatirua betoni duke u vendosur përgjatë rrugës.

Një fotografi satelitore shfaq tendat strehimore për njerëzit e zhvendosur në konfliktin e vazhdueshëm mes Izraelit dhe Hamasit, në Rafah, Gazë, 7 shkurt 2024.

Zyrtarët me qëndrime të ashpra brenda Qeverisë së kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, e kanë shtruar mundësinë për t’i përzënë palestinezët nga Gaza. Por, kjo është kundërshtuar fuqishëm nga aleati kryesor i Izraelit, Shtetet e Bashkuara.

Rripi i Gazës dhe Bregu i uzurpuar Perëndimor janë toka në të cilat palestinezët shpresojnë ta themelojnë shtetin e tyre të ardhshëm.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit shpërtheu me 7 tetor, kur pjesëtarët e grupit radikal i sulmuan qytetet në jug të Izraelit, duke i vrarë 1.200 njerëz dhe rrëmbyer mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Në një raport të Ministrisë së Inteligjencës së Izraelit, të përpiluar vetëm gjashtë ditë pas sulmit të Hamasit, përfshihej edhe një propozim për ta zhvendosur popullsinë e Gazës në qytete tenda në veri të Sianit, pastaj ndërtimin e qyteteve të përhershme dhe të një korridori të paspecifikuar humanitar.

Prej se e nisi luftën në Gazë në tetor, ushtria izraelite e ka rrënuar shumicën e enklavës bregdetare dhe i ka vrarë më shumë se 28.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë që udhëhiqet nga Hamasi në Gazë./REL