Koronavirusi i merr jetën inspektorit të antidrogës në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat. Klodian Shevroja ishte prekur nga Covid-19, por për shkak të përkeqësimit të situatës së tij shëndetësore u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

38-vjeçari qëndroi rreth 2 javë i shtruar në këtë spital dhe ishte në oksigjenim. Ditët e fundit, inspektori Klodian Shevroja u përkeqësua dhe mjekët e intubuan. Ai nuk e mposhti dot betejën me virusin dhe pas dy ditësh në intubim ndërroi jetë.

Të forta kanë qënë reagimet e kolegëve e miqve të Klodianit në rrjetet sociale, ku shprehin jo vetëm dhimbjen e madhe për humbjen e mikut të tyre por edhe u shprehin ngushëllime familjarëve për këtë largim të parakohshëm nga jeta të 38-vjeçarit.

38-vjeçari nga Tirana, Klodian Shevroja, pasi kishte punuar për disa vite si pjesë e strukturave speciale në Tiranë, u tranferua në Komisariatin e Policisë Kuçovë në Korrik 2016, ku punoi inspektor krimesh deri në muajin prill të këtij viti.

Nga muaji prill e në vazhdim, Klodian Shevroja punonte si specialist në parandalimin e kultivimit të narkotike në Seksionin e Hetimit të Trafikut të paligjshëm dhe narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat.