Një infermiere e guximshme, për të cilën thuhet se “humbi të gjithë pavarësinë e saj” kur u detyrua të priste dy këmbët dhe njërin krah nga “Sepsis”, është gjetur e vetëvrarur nga bashkëshorti i saj.
53 vjeçarja Jayne Carpenter mbeti vetëm me një gjymtyrë, kur një i ftohtë në vitin 2016 iu kthye në infeksionin thuajse fatal të “Sepsis neutropenik”, i cili ndodh kur sistemi imunitar mbi-reagon duke shkatërruar indet e trupit.
Infermierjaishte detyruar të priste krahun e majtë poshtë bërrylit, dy këmbët poshtë gjurit dhe katër gishta të dorës së djathtë për të shpëtuar nga sëmundja.
Pak pas ngjarjes që i ndryshoi jetën, ajo kishte nisur një fushatë ndërgjegjësimi për rreziqet e “Sepsis”.
Por rrjedhimisht humbja ishte tepër e madhe për t’u përballuar.
Para vdekjes, Jayne kishte vazhduar të ecte e të kërcente duke përdorur proteza të metalta këmbësh, por thoshte se ato i shkaktonin shumë dhimbje dhe infeksione, teksa përpiqej të mblidhte fonde për nje operacion transplanti gjymtyrësh që mund të zhvillohej vetëm në disa klinika te specializuara private.
Në dosjen hetimore u zbulua se në ditën e vdekjes së Jayne më 7 dhjetor 2020, bashkëshorti i saj prej 22 vitesh, Robert 56 vjeç, i cili e përshkruante gruan e tij si “ylli më i shndritshëm”, ishte thirrur në shtëpinë e tyre në jug të Uellsit, ku e kishte gjetur të varur.
Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale burri i saj shkruante:
“Ajo kishte dhimbje të vazhdueshme dhe e dinte se nuk do të bëhej më mirë. Por pandemia dhe izolimi ishin pika e mbushjes, sepse ajo nuk mund të dilte, të kërcente, të shoqërohej me të tjerë apo të bënte gjërat që e motivonin përditë”.
Jayne më pas vuante nga depresioni e dhimbjet kronike, ndërsa kishte marrë dy herë mbidozë drogash, pasi kufizimet e pandemisë e ndaluan të bënte gjërat që ajo pëlqente të bënte.
Para ngjarjes në 2016, infermierja kishte shkuar te mjeku i familjes për një kollë që besonte se ishte një e ftohur, para se gjendja të përkeqësohej shpejt dhe ajo të dërgohej në gjendje të rëndë në spital.
Atje ajo u diagnostikua me pneumoni dhe infektim sepsis të gjakut.
Teksa gangrena pushtonte gjymtyrët e saj, doktorët vendosën të gjymtonin dy këmbët dhe një krah duke tentuar t’i shpëtonin jetën.
Gruaja qëndroi për nëntë javë në koma dhe kur u zgjua për të parë gjendjen e saj, i tha bashkëshortit Robert: “Përse më le të jetoja?”
Në 2017, Jayne tha në një intervistë se nuk mund të lahej, të ushqehej apo të ecte, prandaj realiteti ishte “shumë i vështirë për t’u pranuar”.
Ajo tha për rrjetin “Wales Online”: “Nuk bëj dot një pije për vete, as nuk ulem dot, është e vështirë të pranosh këtë veten time të re.
Jam një provë në jetë se askush nuk e di se çfarë mund të sjellë kthesa e radhës. Kisha qenë një person aq i pavarur, adhuroja stërvitjen dhe ecjet në plazh”.





