Nga Arben Myrta

Sot ndoqa rastësisht programin e radhës të emisionit të njohur televiziv italian ‘Presa Diretta’ tek Rai 3, me temën “Vetmia e moshës së tretë në shoqërinë e sotme”. Sigurisht kjo është një temë jo e panjohur për ne, por emisioni ishte me shembuj të trishtë e në përkeqësim të shpejtë nga Italia dhe Japonia, vende me të cilët në një formë apo në një tjetër, kam lidhur jetën e përditëshme familjare dhe atë profesionale.

Në Japoni jepeshin shumë raste ku ‘vetmia’ po shtyn shumë të moshuar të preferojnë burgun në vend të izolimit të plotë në shtëpi, dhe për të arritur në burg ata bëjnë vjedhje në supermerkata që t’i kapin dhe t’i dërgojnë në burg, ku mesa duket kanë të paktën raporte sociale me të tjerë.

Në burgje po ulej numri i kriminelëve ordinerë dhe po rritej numri i të moshuarve ‘hajdutë të pazakontë’ në to. Në Japoni, duhet thënë qartë, edhe moshat më të reja punojnë dhe jetojnë mjaft të izoluar dhe me orë të gjata stresuese, gjë që ul ndjeshëm mundësinë për të patur raportet e tyre sociale.

Në restorantet apo fastfood-et e tyre, edhe nga eksperienca ime, gjen më shumë persona që hanë vetëm se sa ata të shoqëruar me të tjerë. Kjo mënyrë jetese me vite të tëra në moshë të re, sigurisht që vazhdon më vonë edhe në të moshuar pa raporte njerëzore dhe me problemet që përmenda më lart, ndoshta edhe më komplekse të lidhura me moshën e avancuar.

Por dhe në Itali (Milano në vend të parë) punët nuk shkojnë shumë mirë. Në Milano raportohen të jenë rreth 55% e familjeve të përbëra vetëm nga një person. Po shtohet numri i të vdekurve, ku nuk gjendet asnjë i afërt për varrimin e tyre dhe bashkia e qytetit merr përsipër gjithnjë më shpesh ‘funerale humanitare’.

Ka subjekte të veçanta, tashmë shumë të zënë me punë, që merren me gjurmimin e të afërmve për të gjetur trashëgimtarë të mundshëm. Shpesh kohët e fundit, me habinë e tyre, zbulojnë që kanë në disa raste edhe vëllezër dhe motra, por që nuk kanë kontakte me dekada…. Dhe po shtohet gjithashtu numri i atyre që bëjnë testamente në favor të kafshëve shtëpiake (megjithë dashurinë e madhe që kam unë për to) që jetojnë së bashku me të vetmuarit.

Edhe në Angli, vend ky shpesh në pararojë të zhvillimeve të reja sociale, problemi është i ditës dhe ata kanë krijuar një figurë të re profesionale, krahas mjekut të familjes. Figurë që njihet nga sistemi sanitar dhe që ndihmon ata që janë të vetmuar me receta apo aktivitete sociale. Kjo për faktin që vetmia me pasojat e saj tashmë po bëhet emergjencë edhe sanitare e vendeve më të zhvilluara në vitet që po jetojmë. Tashmë është e provuar shkencërisht që vetmia sjell me vete pasoja në plakjen më të shpejtë të trurit dhe zhvillimin e sëmundjeve të ndryshme.

Dy fjalë në fund edhe për ne. Nga e kaluara kemi trashëguar raporte familjare dhe miqësore të forta, në atë pikë që një diplomat amerikan në Tiranë në fillimin e viteve ‘90 në kujtimet e tij përshkruante me saktësi shoqëri tonë. Ai shkruante pak a shumë kështu: ‘mos u nxitoni të mendoni keq për shqiptarët kur rrinë me orë të tëra në kafe dhe ku numri i kafeve për sipërfaqe qyteti është më i lart se në çdo vend tjetër. Ata në kafe mbarojnë gjithë punët dhe hallet e tyre ditore me rrjetin e zhvilluar social si mburojë e familjes shqiptare’.

Dhe ky miku amerikan kishte të drejtë kur e përshkruante në këtë mënyrë shoqërinë tonë të viteve të para post-komuniste. Më vonë në vitet që vijuan, kam përshtypjen, që dobësuam gradualisht lidhjet familjare (çështje që do të kërkonte një analizë të veçantë) por jam i mendimit që mbeten akoma të forta ato miqësore, që uroj të mbeten si ‘antikorpe’ të këtyre patologjive të reja sociale të shoqërive të sotme. Në një situatë ku ndodhemi ne, kur shteti bën pak për moshën e tretë, shpresojmë të ruhet sa më shumë kjo traditë pozitive e lidhjeve shoqërore.