9 dhjetor 2014 – Empoli i Elseid Hysajt ka arritur një barazim të rëndësishëm në fushën e Napolit (2:2), por mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka pësuar një dëmtim në mënyrën më acaruese të mundshme. Në të 68′-n, futbollisti i Napolit, Raul Albiol, ka ngritur takën duke lënduar Hysajn në stomak. Futbollisti shqiptar ra i lënduar rëndë, aq sa u desh edhe ndërhyrja e mjekëve.
Episodin e degjeneroi trajneri i napoletanëve, Rafa Benitez, i cili kërkonte që Hysaj të ngrihej, ndonëse askush nuk besonte se ai do të vazhdonte lojën. Gjestin e turpshëm të Benitezit e kanë kapur kamerat italiane. Hysaj megjithë lëndimin e rëndë, pas disa minutave ia doli të kthehej në fushë, për të përfunduar lojën duke shtrënguar dhëmbët, kurse sjellja e teknikut spanjoll mbetet e kritikuar nga mediat italiane.





