Anglia mposhti pa shumë vështirësi në mbrëmjen e djeshme Shqipërinë, teksa shënuan pesë herë në portën e mbrojtur nga Thomas Strakosha. Goli i parë për “Tre Luanët” erdhi nga Harry Maguire në minutën e nëntë, me mbrojtësin që kishte menduar edhe një festim të veçantë.

Lojtari i Manchester United ka marrë shumë kritika në kohët e fundit për paraqitjet në fushë, ndaj festoi duke vendosur duart në veshë si për të heshtur kritikët e tij. Megjithatë, ky gjest nuk i ka pëlqyer aspak një legjende si Roy Keane, i cili thekson se mbrojtësi nuk mund të bëjë një festim të tillë pasi është e turpshme.

“Ai vendosi duart në veshë sikur po hesht të gjithë kritikët e tij, por unë mendoj se kjo është e turpshme. Ai ka qenë një fatkeqësi për Manchester United në muajt e fundit dhe tashmë mendon se duke shënuar një gol do të bëjë që kritikat të pushojnë. E turpshme”, u shpreh Keane.