Nga Ilir Paja
31 tetor 2015 – Shtypi dhe televizionet, sa herë i drejtohen jetës politike të Durrësit, u kërkojnë mendim të dërguarve politikë, këtyre komisarëve/e, të cilët u duhet të flasin në emër të një identiteti cilësuar indiferent, por që në çaste vendimtare të shpërfill po me këtë sjellje, pa të lënë pa të dhënë dhe një të shtyrë nga pas jo pak ironike. Prej ditësh jeta politike në qytet po gjallon në dy kahe. Opozita e përfaqësuar grindet brenda vetes prej kohësh, por pa guximin të kërkojë të deklamojë qoftë dhe këto vlera në shtyp, debate, opinione, duke e lënë gjithçka po brenda një rrethrrotullimi, duke zgjedhur rrugë dytësore dhe jo autostradë të të rrëfyeri.
Ndërsa në PS kanë nisur zgjedhjet për të kulmuar në stafin kryesues, kryetarin, që do t’i duhet të përgatisë jo pa lodhje një program jo më premtues. Po të marrim një statistikë si në median e shkruar, gazetat, studiot, televizionet, tryezat, të drejtën e një civilizimi tejet të respektuar për nga pjesëmarrja jonë durrsake në këto audienca, është jo e pranishme. Pra, kemi një raport inekzistent. Siç ndodhi me kandidimin e znj. G. Duma. Kur PD ka në parlament jo pak deputetë nga qarku i Durrësit, garën dhe përballjen nga qytetari deri dhe media ia lanë asaj. Dhe nga ana tjetër kemi, kishim daljet e bashkiakut tri herë fitues z. Dako, që për opinionin jashtë qytetit, profili tij identifikohej me gjithë qenësinë qeveritëse të Partisë Socialiste. Pa lënë një pohim.
Dalja e tij, fitorja u duk më shumë si profili karakterit “lider” dhe jo një beteje në ekip. Po të shohësh me prizmin kritik të dy palët, kuptojmë se kemi pafuqi, pazotësi për të qenë vetvetja. Arsyeja duket se është vetëm një. “Ne na qeverisin qytetin!” Ndaj pushteti politik nuk buron nga burime të një thellësie intelektuale. Ai merr borxh gjithçka. Një borxh pa shlyerje. Sepse dhe pse deputetë, heshturazi pranojnë “fyerjet”. Ajo është e butë. Pa zhurmë.
Por nëse fyerjet e perëndive sipas Volterit u përkasin perëndive, ato të bëra zgjedhësit i përkasin privilegjeve! Këto të fundit e kanë devijuar doktrinën në pushtet, ndërsa premitmet po i adresohen opozitës së sotme. Këtu ka një fakt të drejtpeshuar. Hapat e heshtura, koalicioni, detyrimet gjithëpërfshirëse e kanë bërë të majtën një strukturë politike shumë pikëpamjesh. Madje tejet të kundërta nga zgjedhjet e jetës. Pa lënë këtu mënjanë dhe mendimin e një ikjeje larg vendit. Siç po ndodh.
Sot, pas dy vitesh, mbledhjet e PS-së kanë një qëllim; punësimin. Kërkesë e drejtë, por politikisht që fatkeqësisht, anëtarë, premtues, pritës post zgjedhor, e kërkojnë shpërblimin për kontributin elektoral te një njeri. Kur ata duhet të kërkojnë të merituarën brenda vetes së pari. Në raste kur nuk e kanë, përdorin kartën e militantit. Për këtë cilësim të fundit duhet thënë se është shumë më tepër “flijues” se përfitues. Politika s’të jep punë. Por nga ana tjetër ajo i afroi këta njerëz vetëm me këtë shpërblim. Kur doktrina e saj të jep statusin dhe shpresën e një jete të lirë. E lirë kur zgjedh vetë gjithçka. E nënshtruar si “arratisje” nga të gjitha liritë (sipas Frommit) nëse këtë liri jete, si puna, vlera që prodhon të gjitha mbi vlerat përcaktohet politikisht.
Si përfundim do duhej të shpreheshim: “Duhet të kthejmë qytetin brenda qytetit”, ashtu si ditë më parë bashkiaku i zgjedhur pa hezitim i kërkoi ministrit të Financave fonde për punët publike dhe të tjera, të pritshme që të mbërrijnë si punësim.
Marrë nga “Shekulli”
/portali DurresLajm/