Si u konvertua Partia e Punës në Parti Socialiste. Spartak Braho, njeriu që de facto kontribuoi në krijimin e degës së PS-së së Durrësit dhe që aktualisht është jashtë kësaj force politike, zbardh në një intervistë për gazetën “Dyrrah” misteret e metamorfozës së kthimit të Partisë së Punës në Parti Socialiste. Për herë të parë një këndvështrim ndryshe që përshkruan hezitimet, frikën, largimet dhe ndarjet. Reagimet e njeriut që nga armik i betuar i Berishës, sot është në koalicion me të.

Cila është rruga e krijimit të degës së PS-së në Durrës?

Krijimi i degës së PS-së në Durrës nuk pati ndonjë ndryshim nga ajo që ndodhi edhe në plan kombëtar, pasi në esencë u bë një konvertim i strukturave të Partisë së Punës në struktura të reja politike. Në muajt e parë të vitit 1991 deri në qershor, kur u mbajt Kongresi i themelimit të PS-së, u vu re një tendencë sipas të cilës udhëheqja e PP-së së asaj kohe pati kujdes që të rinovonte krerët drejtues të partisë së re që po lindte.

Në atë kohë sekretar i parë ishte Nazim Skuqi, i cili pati pësuar një goditje të rëndë politike në Kavajë. Në këtë qytet, në atë kohë, kishte përplasje të forta politike, pasi Berisha dhe e djathta kishin përqendruar të gjitha forcat që të acaronin situatën në qytet. Pikërisht, në këtë situatë ndodhën dhe përplasje fizike, që në një farë mënyre strukën Partinë e Punës, e cila bëri ndërrime të shumta të kuadrove drejtues. Në atë kohë u vendos që të bëhej Konferenca e Partisë së Punës.

Me sa më kujtohet ka qenë data 15 Prill e vitit 1991. Në këtë Konferencë i deleguar ishte Xhelil Gjoni, Gaqo Simaku dhe disa instruktorë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Unë në atë kohë isha shef juridik në “Albkontroll” dhe zëvendës sekretar i organizatës së partisë së atij institucioni. Në shtypin e kohës si p.sh. në gazetën “Zëri i Popullit”, kisha rënë në sy për disa shkrime “të egra” kundër disa veprimeve që bëheshin në atë periudhë, veçanërisht për hedhjen baltë mbi luftën apo figura kryesore të kësaj lufte si Haxhi Lleshi, Myslym Peza, Enver Hoxha etj.

Po kështu mora pjesë dhe në disa mitingje që realizoi në atë periudhë Komiteti i Partisë në Rrogozhinë, Manzë, Durrës, Shijak etj. pa patur status politik, por si një njeri publik pasi kisha qenë për 12 vjet kryetar i gjykatës në Durrës dhe isha aktivizuar me rininë. Në konferencën e Partisë së Punës mora pjesë i ftuar nga Nazim Skuqi, me të cilin njihesha prej kohësh. Konferenca ishte totalisht e çorganizuar dhe dukej qartë se anijes së Partisë së Punës i kishte hyrë uji nga brenda.

Në Konferencë kishte ekstremistë, njerëz të çoroditur si dhe njerëz që gjykonin realisht. Kur po largohesha nga Konferenca më vjen një copë letër nga presidiumi, në fund të të cilës ishte emri i Nazim Skuqit. Në tekstin e letrës thuhej: “Zoti Spartak edhe ju duhet që të diskutoni !”. Në kohën kur do ta refuzoja ftesën, ai e bëri fakt të kryer, duke i bërë të ditur të pranishmëve se do të diskutoja unë.

Mbaj mend se diskutova në mënyrë kritike për gjendjen ku ishte partia, strukturat dhe situata ekonomike. Më pas u kalua në zgjedhjen e pleniumit, që më pas u transformua në Komitetin Drejtues. Ditën tjetër dëgjova se gjatë zgjedhjes së forumit drejtues kishte propozuar emrin tim një delegat nga kooperativa e Kryevidhit dhe kandidatura ime ishte miratuar unanimisht.

Të nesërmen, në kryesinë e Pleniumit u propozua një listë prej 15 personash, ku binte në sy rifreskimi i ish-byrosë së vjetër. Në krye të listës qëndronte emri i Mehmet Karakushit, i cili kishte qenë Sekretar i Komitetit të Partisë dhe mbulonte propagandën. Në atë kohë ishte drejtor i Shtëpisë së Pushimit të Punëtorëve dhe një njeri me reputacion shumë të mirë në Durrës. Ai faktikisht e refuzoi postin e Kryetarit të Partisë së Punës.

Më pas një dentiste më emrin Hëna Muço propozoi emrin tim, me motivin se nuk pranoi Mehmet Karakushi. Unë kundërshtova dhe më pas u propozua Astrit Duçi. Pas një votimi të sforcuar, Mehmet Karakushi mori 4 vota më shumë se unë, duke u zgjedhur kryetar dhe unë nënkryetar. Në kryesinë prej 15 vetash ishin emrat e Bardhyl Agasit, Fatos Muços, Miri Hotit, Hëna Muços, Astrit Duçit, Andrea Toles, Idriz Balanit, Abaz Hados etj.

Më kujtohet se në atë kohë aparati i partisë ishte me mbi 65 punonjës, prej të cilëve kishin ardhur në punë vetëm 6 instruktorë, pasi të tjerët nuk kishin dëshirë të punonin në atë kohë. Më kujtohen instruktorët që ishin në detyrë si Filip Grami, Llukan Kuqi, Drita Çumashi, Shpresa Sina, Luçi Dollaku, të cilët i njihja prej kohësh.

Në fakt, Mehmet Karakushi nuk kishte ardhur në punë. E telefonova dhe më tha:“O Spartak, ti vazhdo, unë jam këtu dhe kur të kesh nevojë më thërrit”. Më pas ai erdhi, por e bëri disi me korrespondencë drejtimin e partisë. Pothuajse mbeta vetëm deri në muajin qershor kur u bë Kongresi.

Në Kongres shkuam një grup i madh delegatësh, ku diskutova unë, Moikom Zeqo, Bardhyl Agasi etj. Ky ishte Kongresi i transformimit nga Parti e Punës në Parti Socialiste. Në vitin 1991 kam drejtuar degën e partisë pothuajse i vetëm. Së pari shkurtova aparatin e partisë; nga 62 instruktorë mbajta vetëm 12 vetë.

Cilat kanë qenë kontaktet e drejtpërdrejta që keni pasur me Fatos Nanon në atë periudhë. Si u reflektua metamorfoza Parti e Punës-Parti Socialiste në Durrës?

Kam biseduar tet a tet me Nanon që u zgjodh kryetar partie në atë periudhë, për të zgjidhur urgjentisht problemin e drejtimit të partisë. Ai më kërkoi që ta drejtoja unë, por nuk pranova për faktin se Durrësi donte një njeri që të ishte me origjinë nga ky qytet dhe për më tepër që unë më parë kisha punuar në organet e drejtësisë, ku kam gjykuar dhe dënuar njerëz në bazë të ligjeve të kohës.

Në fakt, ja kisha vënë syrin Bardhyl Agasit si një figurë e pranueshme, madje dhe në rrethet ekstreme të PD-së. Ishte një njeri që kishte punuar me kulturën dhe artin dhe në një farë mënyre ishte më i moderuar se unë. I propozova Nanos emrat e Bardhyl Agasit dhe Miri Hotit. Fillimisht bisedova me Bardhyl Agasin që ishte në atë kohë drejtor i Teatrit “Aleksandër Moisiu”, por nuk pranoi.

Bisedova me Miri Hotin që ishte gjithashtu një figurë shumë e pranueshme dhe me reputacion, por më tha se kishte problem se nuk dinte të bënte raporte. I thashë mos të merakosej se raportet ia bëja unë, por nuk pranoi. Miri, në fakt, në atë kohë i qëndroi shumë pranë partisë dhe i përmirësoi imazhin asaj.

Vetëm pas muajve shtator-tetor, të vitit 1991, kur Komiteti Pluralist pushoi nga puna Bardhyl Agasin, ai pranoi që të drejtonte partinë, pas një mbledhjeje që zhvilluam ato ditë.

Në përbërje të PS-së u futën elementë moderatorë dhe intelektualë të rinj, të cilët sapo ishin futur në politikë nga Partia e Punës vitet e fundit. Kujtoj këtu Astrit Duçin, ish-kryeinxhinier i Kantierit Detar, Andrea Tolen, një intelektual i njohur, Bardhyl Agasin, Moikom Zeqon, Fatos Muçon, Zini Beqirajn, Veziko Kerrajn, Agim Bërhamin nga Shijaku etj.

Në atë periudhë nuk ishte e lehtë, pasi revanshi i PD-së ishte i fortë. Armiqësia ishte e theksuar. Kishte tentativa për veprime të dhunshme. Më kujtohet se tri herë u tentua të digjej Komiteti i Partisë, veçanërisht gjatë eksodit. Me disa manovra spekulative arritëm të shmangnim një gjë të tillë.

Kështu p.sh. vumë një tabelë ku shkruanim se godina ishte Banka e Shqipërisë. Turmat e njerëzve që vinin nga rrethet e tjera, kujtonin se vërtet godina ishte bankë dhe devijonin. Më kujtohet se në atë periudhë ishte shef policie një djalë kurajoz, Niko Gjata, i cili me anë të agjentëve të krimeve çorodiste turmën, duke e bindur se ishte banka e shtetit.

Në atë periudhë takimet partiake bëheshin pothuajse në ilegalitet. Më kujtohet se kryetar i partisë për Kavajën ka qenë Ejup Tabaku me profesion ekonomist, që më pas u bë deputet. Ai i bënte mbledhjet në depot e hekurudhës, pas stacionit të trenit. Unë personalisht nuk e kisha problem pasi kisha hijen e prokurorit, gjykatësit dhe disa prej drejtuesve të PD-së, që nxisnin frymën e revanshit, unë i kisha njohur nga pozicione profesionale, madje ndonjë prej tyre kishte qenë dhe bashkëpunëtor me ish-Sigurimin e Shtetit.

Problem në atë periudhë ishte frikësimi i masave, pas frymës që përcolli Berisha dhe disa proceseve gjyqësore të egra. Në atë periudhë një kontribut të çmuar na jepnin veçanërisht veteranët. Ishin ata që mbushnin sallat dhe mbledhjet, sepse për të thënë të vërtetën mungonin të rinjtë. Me aktivizimin e disa kuadrove arsimtarë si Amelika Veliu, Veziko Kerraj, Natasha Paço etj. nisi freskimi i partisë. Në vitet 1992-1993 ende nuk kishin nisur organizatat e Rinisë apo Gruas.

I pari që ka ardhur për të ndërtuar strukturat e FRESH-it ka qenë Ilir Zela dhe Pandeli Majko, të cilët i kam pritur personalisht në zyrë. Në atë periudhë nga shkollat e mesme erdhën disa nxënës që vinin nga familje të majta si Gazmir Bizhga apo Gjergj Koja që më pas patën karrierë politike dhe na zëvendësuan edhe ne në Kuvendin e Shqipërisë.

Cilat ishin rrethanat në të cilat ndodhi çarja në PS dhe si u reflektua kjo në Durrës?

Copëzimi i PS-së ka filluar shumë vonë. Pakënaqësitë te PS-ja filluan pas viteve 2002-2003, pas përplasjes së Metës me Nanon. Ishte momenti kur qeverinë Nano e mbërtheu korrupsioni, që u kundërshtua me forcë nga një pjesë e madhe e deputetëve. Rreth 20 deputetë ishin gati të shkëputeshin nga PS-ja, por për forcë të zakonit shkëputja u realizua në vitin 2004.

Personalisht kam hezituar. Mbaj mend se mbledhja e parë themeluese e LSI-së në Durrës është zhvilluar në sallën e shtëpisë së pionierit, ku i pranishëm ishte Ilir Meta me disa drejtues të tjerë. Kam deklaruar shkëputjen dhe në një moment më janë mbushur sytë me lot. Nuk e kishim të lehtë, por ishte një rrugë e pashmangshme.

 

Në një rrëfim për vitet e para të krijimit të Partisë Socialiste, njeriu që e drejtoi atë për disa muaj me radhë ndalet në vështirësitë e asaj periudhe, hezitimin e shumë figurave si Bardhyl Agasi apo Miri Hoti për ta drejtuar degën e Durrësit dhe manovrat e përdorura për të ruajtur nga djegia Komitetin e Partisë. Duke u ndalur në emra konkretë, Spartak Braho, tregon për shumë nga momentet kur formacionit politik të dalë nga partia mëmë, Partia e Punës, i duhej të mbijetonte dhe të mbushte radhët me intelektualë të rinj

PS-ja deri në 2007 ishte një parti në mbrojtje të idealeve më të çmuara të vendit. Ajo mbronte vlerat kombëtare, idealet e luftës, vlerat realisht pozitive të periudhës 40-vjeçare të regjimit komunist. Ishte kundër vëllavrasjes. Ishte një PS në mbrojtje të liderit të saj Fatos Nano, i cili u burgos padrejtësisht. Papritur viti 1997 e solli PS-në pushtet, por jo fort të përgatitur për këtë gjë, në kushtet e një vendi që u shkatërrua. Pas kësaj periudhe nis faza e dytë, ku qeveria Nano i ringriti institucionet, deri në vitin 2000. Pas vitit 2000 filloi që politika e PS-së nga idealiste të kthehej në mjet jetese dhe përfitimi. Dëgjoheshin madje shprehje se na erdhi neve radha të vjedhim dhe të pasurohemi.

Nga një këndvështrim i jashtëm, cili është opinioni juaj për degën aktuale të PS-së në Durrës?

Figurat që drejtojnë tani PS-në nuk kanë dalë nga populli, nuk janë militantë, janë të panjohur dhe e keqja më e madhe është se janë katapultuar me njohje personale. Një e njeh Dako, një e njeh Bizhga, një e njeh Klosi, një e njeh Rama e kështu me radhë. Nuk vijnë në mënyrë natyrale, madje unë që jam aktiv në politikë nuk e di se cili e drejton PS-në në Durrës. Janë njerëz anonimë.

Anonimati ka mbërthyer PS-në e sotme. Realisht tashmë kryetarët e bashkive janë njëkohësisht drejtues partish, pasi kanë në dorë strukturat shtetërore, kanë para, bëjnë punësime, kanë fonde etj. PS-ja është bërë më administrative dhe burokratike. Në fakt, kjo është një filozofi e re që po e kalojnë të gjitha partitë, përfshi edhe LSI-në. Ka njerëz që marrin karrige dhe nuk shikojnë të presin njerëz që kanë halle.

A e shikoni të mundshme një aleancë PS-LSI?

Në politikë nuk thuhet asnjëherë kurrë. Në vijë logjike të dy forcat janë të majta, ndonëse për 5-6 vjet janë egërsisht kundër njëra –tjetrës. Synimi i Edi Ramës ka qenë për ta eleminuar politikisht LSI-në dhe vjet Edi Rama, përmes një komploti gjyqësor, tentoi ta eleminonte dhe fizikisht Ilir Metën.

Nuk shikoj deri në zgjedhjet e 2013-tës gjasa që të ketë bashkim apo aleancë politike në mes të PS-së dhe LSI-së. Nuk dyshoj se Edi Rama do të humbë zgjedhjet e vitit 2013-ës. LSI do të vazhdojë të jetë forcë përcaktuese. Ne do të ndjekim filozofinë e bashkëpunimit si në vitin 2009. Për hir të interesave kombëtare ne do të shkojmë në koalicion me atë forcë politike që pranon synimet tona dhe nuk e çon vendin në krizë.

Kjo mund të jetë dhe PD-ja, por edhe PS-ja nëse merr numrat e nevojshëm, por jo të plotë për të qeverisur.

Z.Braho, nga një armik politik i dikurshëm tashmë bashkëqeverisni me Berishën. Cili është opinioni juaj për kryeministrin?

Nuk i heq asnjë presje konsideratave të mia për Kryeministrin. Berisha është i pakorrigjueshëm, por është i zoti, populli e voton, është njeri serioz në punë, punon 24 orë, është grindavec, konfliktual, politikan pragmatist. Personalisht nuk më pëlqen, por ky është realiteti.