“The King and the Queen” duket se i kanë dhënë fund. Arsyeje e gjithë kësaj duket të jetë një deklaratë e Noizy-t tek emisioni “Xing Me Ermalin” e pastaj edhe intervista e Encas në “Privé”, ku dyshja kanë gjetur mangësi. Megjithatë, burime për “Bluetooth” bëjnë me dije se krisja e marrëdhënies mes tyre ka nisur që në fillim të dhjetorit.
Koncerti i fundit ku dyshja ka qenë bashkë daton në 27 nëntor të vitit të shkuar në Gjermani. Nëse kujtojmë gjatë verës Noizy dhe Enca kanë qenë kudo bashkë, duke korrur sukses me këngën e tyre, “BowDown”. Thuhet se dyshja kishte planifikuar që dhe mbrëmjen e ndërrimit të viteve të ishin së bashku në koncert, por problemet mes tyre kanë bërë që ky plan të anulohet. Problemet mes Encës dhe Noizyt janë vënë re edhe nga pjesëtarët e tjerë të labelit, megjithatë nuk kanë ndërhyrë në këtë debat.
Kontratat, koncertet, intervistat e pamiratuara më parë nga OTR janë vetëm disa nga arsyet që kanë çuar në acarimin e dy këngëtareve. Fansat e kanë marrë vesh këtë sherr, pas statuseve në “Facebook” që dy artistët kanë publikuar me akuza për njëri-tjetrin. Reperi tregon se pas arritjeve të Encës fshihet ai dhe grupi OTR. Madje, atij nuk i ka pëlqyer aspak mosmirënjohja e këngëtares.
“Hajdutët kanë arsye që vjedhin, ai që vret ka 1 arsye të fortë që vendos të vrasë, gjithashtu edhe ai që gënjen ka arsyet e veta kuptohet, por të jesh mosmirënjohës s’e kuptoj. E kuptoj që ti don t’u tregosh njerëzve me këmbëngulje që je ‘self made’, por të gjithë e dinë se kush të bëri, të gjithë e din kush ishe kur ishe vetëm dhe të gjithë e dinë se kush u bëre kur u bashkove me OTR, kështu që atë ‘self made’ shko thuja dikujt tjetër jo neve, nuk është turp të thuash që më ka ndihmuar grupi, sepse don s’don ti, jemi grupi ma i suksesshëm në Shqiptari, ishe a nuk ishe ti asgjë nuk do ndryshojë. Ti dhe ‘stafi’ keni hyrë në ‘Universal’ me forcat tuaja? Cili staf? Shoferi makinës, apo make up artist!? Mos harro se as nuk të njifnin dhe u desh të bisedoja 30 min me to për ty dhe që vendosëm të japim 1 shans dhe gjithë kjo bisedë është inçizuar për prova. Shko thirr gazetarët prapë dhe jep intervistë të saktë, pa rrena, se s’ke arsye. Deri atëherë je jashtë grupit OTR”, – shkruan ai bashkangjitur me një foto me sfond të zi në “Instagram”.
Edhe vetë këngëtarja i është përgjigjur me një tjetër status, duke thënë që askush nuk mund ta përjashtojë nga OTR. Megjithatë, fill pas sherrit të dy kanë vijuar me axhendat e tyre. Enca ka qenë e pranishme në një koncert së bashku me Ledrin, ndërsa Noizy ka vijuar me koncertet e shumta që ka. Mes tyre është përfolur gjithmonë edhe për një lidhje dashurie, por asnjëherë e pranuar nga dy protagonistët, që tashmë duket se janë bërë “armiq”. /Bluetooth