Nga Poliandër Mele
Në qytetin Adriatikut perëndimor dielli kishte kohë që kishte nxehur gurët e rrugëve dhe dy tre gjinkalla kishin filluar zhurmën e tyre të mesditës. Përtej një kthese pashë Martinin që po nxitonte rrugicave. Kur e pashë të ikte ashtu e thirra nga larg.
– Martin, ku po nxiton kështu?
– Më duhet të iki – më tha, – të marr një libër, dhe do të kthem.
Martinin e njihja prej pak kohësh. Duke qenë se punonte si specialist i statistikave, gjithmonë më shpjegonte gjëra të vështira që nuk i kuptoja. Por që të nxitonte për të marrë një libër në rrugicat e ngushta të një qyteti bregdetar, nuk mendoja se edhe kjo do të ishte nga ato gjërat e kollajta për tu kuptuar.
Kur u kthye, Martini mbante në dorë një libër të trashë, ngjyrë blu deti të thellësive, me një dallgë të fortë anijesh në lundrim, e me një figurë torre veneciane. Ishte libri “Njerëz të Durrësit”, i studiuesit Fatmir Minguli, nga Botues 2M, që sapo kishte dale nga botimi.
– Më duhet ky libër – më tha Martini, sepse ka shumë shkrime dhe informacione, por flet edhe për mikun tim, një piktor mesdhetar i njohur ndërkombëtarisht. Dhe më tregoi librin magjik.
E mora dhe fillova ta shfletoj. Me një parathënie dinjitoze nga kryetari i klubit të shkrimtarëve të qytetit, Z. Shpendi Topollaj, libri fillon me shëtitjet në një Durrës sa historik aq edhe artistik, që nga kinematë e para që në vitin 1927, deri te klubet e darkave dhe netët me muzikë live, nga variacionet e termit Taverna deri te përkufizimet e qytetit antik si Qyteti i Tavernave të Mesdheut, e nga shëtitjet me anije në det e deri te netët e këngës napoletane.
Dy fjalë të mira, si dy ullinj që mbillen gjatë festave të ullirit, karakteristikë e qytetit, tregojnë për traditat dhe mikpritjen e tij të hershme. Aty gjen figura të shquara të qytetit si Moikom Zeqo, Gjergj Vlashi, Daut Hoxha, Hasan Ulqini e plot shkrimtarë e poetë durrsak si Nikolla Spathari,Vaso Papaj, Agim Bajrami, Namik Mane, Pjetër Çara, Qemal Vrioni, Kadri Tarelli, etj
Elegjia e poetit të heshtur, Pirro Minguli, “Nëpër ikjen e ditëve”, vjen si një kambanë lamtumire për ikjen e tij pak kohë më parë dhe kujtimin e tij si një luftëtar i paharruar, tek e gjejmë të shprehur me vargjet: “Luftë kundër thatësirës së shpirtit”.
Skulptorë dhe piktorë janë përfshirë në këtë antologji shprehje e vullnetit të artit figurative, mjeshtra si Ibrahim Kodra, Nikolet Vasia, Idriz Balani, Ardian Tragaj, Ilir Berhami, Defro Elezi, etj. Njerëz të traditës si Pjeter Bardhi, Spiro Treska, Ramazan Njala, Myzemil Osmani, Hyzni Çurbja, janë aty bashkë me njerëz të specialitetit si Luan Jaupi, Nazif Tivari,
Enigmat nuk mungojnë kur shkrimtarë si Ben Shehu me romanin “Ata nuk duhet ta dinë” dhe me përmbledhjet e tij me tregime na çojnë në një Durrës misterioz si Nevada në 1951. Autori durrsak Erjon Muça që jeton në Pisa, tashmë i ka kaluar të gjitha gjinitë letrare, prozë, poezi, tregime, romane, kritika, studime, siç është më i fundit, studim për Migjenin, kapërcen kufijtë e territoreve të letërsisë mesdhetare dhe hidhet përtej në perëndim. Me romanin Iluzione Optike ai tregon me mjaft realizëm dramën e madhe që përjetoi e gjithë shoqëria shqiptare gjatë një tranzicioni dramatic.
Arkeologu i laureuar në Universitetin e Bolonjës, rikthehet në Durrës duke nxjerrë mjaft tema interesante me punime dhe studime të ndryshme, si enët e baltës me ngjyra të kuqe, apo me studimin e mirëfilltë për Aleksandër Molosin.
Dinozaurë që shtegëtojnë mbi mëkatet e një qyteti të rrënuar duket sikur të shkëpusin nga realiteti, por ato nuk janë gjë tjetër veçse metafora të penës durrsake, që luajnë me fantazinë e lexuesit, i cili tashmë kërkon që kjo lojë të vijojë më tej, duke thirrur në hapësirat e pavetëdijes lëkundje të lira që dinë të qëndrojnë pezull në ajër.
Ky libër kishte kishte krijuar një tronditje me përmbajtjen e tij sa të vërtetë aq edhe mjeshtërore. Dhe për këtë mjafton fakti sesi kopjet e tij shiteshin dhe shpërndaheshin më shpejt sesa prodhoheshin. Rrallë kishte ndodhur që në derën e botuesit, në sektorin e prodhimit të librave, njerëz të shfaqeshin duke u shprehur qartë. – Unë jam njeri i Durrësit dhe dua librin Njerëz të Durrësit! Më përket edhe mua pasi jam edhe unë aty! E si mund të pretendohet më pak kur bëhet fjalë për një përmbledhje me shkrime, kritika, mesazhe, fjalë motivuese, vlera dhe përshkrime të një periudhe të gjatë, për më shumë se çerek shekulli.
– Janë mbi tridhjetë vite shkrime dhe përmbledhje – kishte argumentuar prof. Minguli – dhe unë i kam të gjitha në kompjuter. Kam edhe gazetat origjinale në shtëpi, aty ku janë botuar këto shkrime. I kam ruajtur të gjitha në origjinal. Kam të gjitha dorëshkrimet dhe fletoret, disa të bardha disa të zverdhura, me ngjyra të ndryshme stilolapsas dhe stilografesh të zi, blu, të kuq, jeshil, portokalli, kafe, të gjitha të shkruara me shkrim dore. Kam shumë material dhe po vijoj të punoj për volumin e dytë të këtij lloji, pasi vetëm një libër është e pamundur që të përmbledhë të gjithë njerëzit e një qyteti me kaq shumë ngjarje dhe histori të vërteta të jetuara dhe të diskutuara me pasion. Lista që unë kam është ende shumë e gjatë!
Po mendoja se sa shumë ka filluar të vihet në levizje një frymë e re artistike, për të bërë më tepër për një qytet me vlera historike.
– Në rrjetën e statistikave të mija – më tha Martini – do të më duhet të pasuroj të gjitha vlerat artistike të frymëzuara nga emri i këtij qyteti, vetëm gjatë vitit të fundit. Pas ekspozitës së suksesshme të piktorit Ilir Berhami “Njerëz të Qytetit Tim”, apo të ekspozitës fotografike “Jeta Urbane në Durrës” të fotografit reporter Griseld Hoxha, vjen libri “Njerëz të Durrësit” nga Fatmir Minguli, që bashkë me romanin durrsak të sapo botuar “Medaljoni i Dyrrahut” nga botues 2M, krijojnë një cikladë vlerash si tornado mistike që gjenerojnë rezonance magnetike!
Dhe Martini bashkë me statistikat e tij paska patur mjaft të drejtë. Kjo bisedë filloi të më trondisë pak nga pak. Libri akoma më tepër. Më duhet edhe mua ky libër. Më duhet ta marr. Më duhet ta lexoj.
– Në statistikat e mija – vijoi Martini – ka edhe pakënaqësi. Unë e di shumë mirë se ti do më flasësh për mjaft të tjerë, që me veprën e tyre artistike nuk figurojnë në këtë libër. Edhe ata, me veprat e tyre kanë mjaft të vërteta për të treguar. Autori Fatmir Minguli nuk ka bërë një organizim të karakterizuar të veçantë të veprave, por është orientuar nga kërkesat e vetë autorëve të cilët i kanë besuar veprat e tyre në këtë studim. Shumë autorë i kanë dhënë librat e tyre për ti bërë një kritikë dhe recension mbi to. Por më duhet të rrëfej në konfidencë të fshehtë se ky libër është vetëm vëllimi i parë i këtij lloji, i cili do të pasohet nga një vëllim i dytë ose edhe i tretë, pasi vlerat, talentet dhe mirësia te Njerëzit e Durrësit jo vetëm që nuk do të shterojnë, por do të vijnë duke u shtuar. Faleminderit Prof. Fatmir Minguli për vlerat e vërteta që na bën të zbulojmë.
Dielli shkëlqen në rrugicat e qytetit të lashtë të Adriatikut perëndimor, duke nxehur gurët dhe kënga e vapës së gjingallave mesdhetare kthehet në simfoni guralesh. Në vegimet e rrezeve të diellit, mu shfaq sërish murgu i lashtë i ëndrrës së vjetër, duke më thënë:
“Unë, poeti Isidor Mele, pasardhës Ilirie
E kërkova të vërtetën, dhe
e gjeta te “Njerëz të Durrësit!”
Durrës 15 gusht 2022
* Poliandër Mele është shkimtar, kritik dhe studiues durrsak.