Në fillim të muajit korrik, bashkia e Durrësit shpalli konkurset për 14 vende të lira në bashki, ndër të cilët ishte dhe ai për postin e drejtorit pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Bashkisë Durrës. Posti në fjalë ka mbetur bosh që nga emërimi i Sakos në krye të bashkisë pas dorëheqjes së Zhuljen Varfajt. Pandemia Covid-19 ndërpreu të gjitha konkurset e shpallura për vende të lira pune në bashki, dhe vetëm në korrik, pas lehtësimit të masave, u lejua zhvillimi i tyre.

Por duket se dy procedurat e para për përzgjedhjen e kandidatëve, ajo e Ngritjes në detyrë dhe ajo e Lëvizjes Paralele, kanë dështuar për të nxjerrë kandidatura të përshtatshme për këtë post. Për këtë arsye, bashkia e Durrësit e ka shpallur edhe njëherë konkursin, por këtë herë vetëm për procedurën e tretë, atë të Pranimit në Shërbimin Civil (https://www.durres.gov.al/images/dbnj_28_07_2020.pdf).

Kandidatët e interesuar do të kenë afat deri në datë 30 korrik për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, e cila për hir të së vërtetës, është një nga 3 drejtoritë kryesore në bashki të mbetura pa titullar.  Nga kjo detyrë dha dorëheqjen rreth një muaj më parë Patriot Beqaraj, ndërkohë që një tjetër drejtori e mbetur pa drejtor është ajo e Turizmit, Politikave të Zhvillimit dhe Integrimit Evropian të Bashkisë Durrës, post që mbahej prej shumë kohësh nga Ina Xhakoni.