E veshur kuqezi, shkolla “Shaqe Mazreku” në Durrës e përcillte atmosferën e festave në çdo cep të saj.

Në prag të festës kombëtare të Alfabetit shqip dhe festave të Nëntorit, një program i pasur artistik, për të cilin nxënësit pjesëmarrës ishin përgatitur për shumë javë me radhë, arriti të përcjellë tek të gjithë të pranishmit ndjenjën e fortë të krenarisë kombëtare dhe dashurinë për gjuhën shqipe.

“Ky aktivitet ishte një nismë për ditën kombëtare të Alfabetit shqip, por edhe të 80-vjetorit të çlirimit të atdheut. Nxënësit, prindërit dhe mësuesit janë angazhuar për të dhënë maksimumin”,- na thotë drejtoresha Anila Gashi.

Për nxënësit, sidomos ata më të vegjlit, dita e sotme mbarte emocione të forta, sepse do të performonin para mësuesve dhe prindërve. Por përgatitjet e bëra i bënin të ndiheshin të sigurt për performancën në skenën e improvizuar në hollin e shkollës.

Për më shumë se një orë me radhë, nxënësit e klasave nga e para deri në të nëntën i lanë vendin njeri-tjetrit në skenë mes morisë së poezive, këngëve patriotike dhe valleve popullore të interpretuara me mjeshtëri.

Nëntori është muaji i festave kombëtare më të rëndësishme dhe për këtë arsye veprimtaritë dhe programet artistike me fokus patriotizmin organizohen rregullisht në të gjitha shkollat e qytetit.

M.B.