Me një flamur të madh me shpiponjën dykrenare dhe dekorin përreth të kompozuar me ngjyrat kuq e zi, shkolla e mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës mbajti mbrëmë në sallën “Black box” një koncert festiv.
Instrumentistët më të mirë të shkollës artistike, të shoqëruar nga profesorët e tyre, sollën për të gjithë admiruesit e muzikës klasike disa nga veprat më të rëndësishme të kompozitorëve botërorë.
Siç na tregon drejtori i shkollës, Dashamir Mehmeti, koncerti është kthyer tashmë në një traditë të bukur 4-vjeçare për këtë institucion arsimor, që ka nxjerrë breza të tërë artistësh durrsakë, që kanë shkëlqyer jo vetëm në skenat tona, por edhe ato botërore.
Të gjitha pjesët simfonike të ekzekutuara nga orkestra e shkollës apo grupi i kitaristëve të shkollës, por edhe ato të luajtura nga grupe më të vogla instrumentistësh erdhën mjaft ngrohtë dhe bukur tek publiku në sallë.
Kjo edhe për shkak se kur gjërat bëhen me pasion, rezultatet janë përherë mjaft të mira.
Këtë na lë të kuptojmë pianistja Kristel Karagjozi gjatë bisedës që zhvilluam me të. Koha e përgatitjes së kësaj stine koncertore nuk ka qenë shumë e gjatë, por angazhimi maksimal i të gjithë instrumentistëve në fund u shpërblye me duartrokitjet e publikut në sallë.
M.B.