Luis Enrike është gati për të zëvendësuar Antonio Konten në stolin e Çelsit dhe, sipas katalanases “Sport”, trajneri spanjoll dhe kampionët e Anglisë kanë gjetur edhe akordin. Pozicioni i teknikut italian në “Stamford Bridge” është më i lëkundur se kurrë pas humbjeve 3-0 në shtëpi ndaj Bornmwthit dhe 4-1 nga Uotfordi të hënën.
Blutë e Londrës i kanë dhënë vetëm besim të përkohshëm 48-vjeçarit, por ai e di shumë mirë se në gabimin e radhës nuk do të vazhdojë të jetë më trajner i Çelsit. Sipas “Sport”, ish-trajneri i Barcelonës ka arritur akordin për një kontratë 2.5-vjeçare (deri në verë 2020).
47-vjeçari, i cili ka menaxhuar gjithashtu Romën dhe Selta Vigon, është i disponueshëm, pavarësisht lajmeve nga burime të ndryshme në Spanjë se ai nuk është gati që ta marrë këtë rol në mes të sezonit.
Në “Camp Nou”, ai fitoi dy tituj kampion me Barçën, tre Kupa Mbreti dhe Champions-in në 2015-ën. Dhe me Konten që vetëm pritet t’i firmoset shkarkimi, ndeshja e parë e Enrikes mund të jetë pikërisht kundër ish-skuadrës së tij, kur Barcelona të vizitojë Londrën më 20 shkurt, përpara se të rikthehet në “Camp Nou” për ndeshjen e kthimit të 1/8- ave të Ligës së Kampioneve më 14 mars.
Duke folur pas poshtërimit ndaj Uotfordit, Konte këmbënguli se ai nuk ka frikë nga shkarkimi, madje e sfidoi klubin që ta shkarkonte nëse ata mendonin se nuk po punon mjaftueshëm mirë. “Jo, nuk jam i shqetësuar. Nuk kam frikë për vendin tim. Unë punoj çdo ditë dhe jap 120%. Dakord? Nëse kjo mjafton OK. Përndryshe klubi është i lirë të marrë një tjetër vendim. Por, unë nuk jam i shqetësuar. Nesër është një tjetër ditë. Unë mund të jem ose jo trajner i Çelsit. Cili është problemi? Ndërgjegjja ime është e pastër. Unë bie të fle pa u bërë pishman për asgjë dhe pa nëse. Unë përpiqem të bëj gjithçka. Nëse nuk mjafton, atëherë klubi mund të marrë një tjetër vendim. Jeta vazhdon”.





