Një minator ka humbur jetën në minierën e Bulqizës.

Ngjarja ka ndodhur në zonën D të galerisë dhe sipas informacioneve paraprake të policisë, bëhet e ditur se minatori 30-vjeçar është zënë poshtë nga një masiv gurësh.

Informacioni paraprak i policisë:

Sot rreth orës 09:15, Policia u njoftua se ishte dërguar në spitalin e Bulqizës, një shtetas pa shenja jete, punëtor në minierën e kromit.

Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor shkuan në ambientet e spitalit dhe në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se në ambientet e brendshme të një galerie kromi, në zonën D, shtetasi E.K, 30 vjeç, banues në Bulqizë (punëtor në galeri), duke punuar dyshohet se e ka zënë poshtë një masiv gurësh i shembur e pasojë ka humbur jetën. 

Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.