Epidemia e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos po përshkallëzohet me ritme të shpejta, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara ka kaluar shifrën e 2 mijë personave.
Sipas një raporti të publikuar nga autoritetet shëndetësore të vendit, deri tani janë regjistruar 2,124 raste të konfirmuara në laborator, ndërsa virusi ka shkaktuar 828 viktima që prej shpalljes së epidemisë më 15 maj.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për përhapjen e shpejtë të sëmundjes. Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se kjo epidemi po ecën me ritme më të larta se shpërthimet e mëparshme të virusit në vend.
Sipas tij, numri i rasteve të konfirmuara kaloi 2 mijë brenda vetëm dy muajve, ndërsa epidemia e vitit 2018 kishte arritur në nivele të ngjashme pas më shumë se dhjetë muajsh.
Ky është shpërthimi i 17-të i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos dhe shkaktohet nga lloji Bundibugyo i virusit, një variant për të cilin aktualisht nuk ekziston vaksinë apo trajtim specifik.
Ebola është një sëmundje e rëndë që shkakton ethe hemorragjike dhe ka marrë më shumë se 15 mijë jetë njerëzish në Afrikë gjatë pesë dekadave të fundit.
Shpërthimi më vdekjeprurës në Republikën Demokratike të Kongos u regjistrua gjatë viteve 2018-2020, kur virusi shkaktoi rreth 2,300 viktima nga afërsisht 3,500 raste të raportuara. Tashmë autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare po përpiqen të frenojnë përhapjen e epidemisë së re, e cila konsiderohet ndër më shqetësueset në vitet e fundit.





