“Ministre mirë se erdhe në Eco Parkun e Durrësit, tashmë një park i cili është i hapur për publikun dhe qytetarët!”

Kështu deklaronte vetëm një ditë më parë kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako, gjatë vizitës në Eco Park me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Por sot, realiteti tregon komplet të kundërtën. “DurrësLajm” dëshmon përmes pamjeve filmike, se parku më i madh urban i qytetit vijon të jetë i mbyllur për publikun.

Gurët e vendosur në tokë dhe zinxhirët bllokojnë hyrjen e parkimit, ndërsa brenda parkut ndodhen vetëm punonjësit e Agjencisë së Parqeve Urbane, ndërmarrje e krijuar vetëm një muaj më parë.

Përgjatë viteve të fundit janë dhënë disa herë afate konkrete për hapjen e Eco Parkut për qytetarët durrsakë, por sot kur data shënon 15 shkurt 2024, kjo hapësirë publike prej 15 hektarësh, tërësisht e rehabilituar, vijon të jetë e mbyllur.

Megjithëse i mbyllur për publikun e gjerë, në fillim të muajit shkurt, tek Eco Park u zhvillua kampionati i basketbollit i shkollave të mesme të Durrësit, aktivitet sportiv ky që gjeti pasqyrim në rrjetet sociale të kryebashkiakes Sako. Ky nuk është i vetmi event i zhvilluar aty, pasi ambientet sportive të Eco Park janë përdorur edhe kohë më parë për aktivitete të tilla.

Siç mësojmë në rrugë jo zyrtare, në parkun urban të ndërtuar mbi atë që ishte dikur vend depozitimi i mbeturinave urbane të Durrësit nuk janë vendosur ende stolat, koshat e mbeturinave etj, ndërsa disa punime janë ende në proces.

Në ditën e të dashuruarve, ministrja Kumbaro erdhi për të parë nga afër mbjelljen e rreth 300 fidanëve të rinj për Vitin e Pyjeve në atë që ajo e cilëson si “shëmbëlltyra më e qartë e transformimit nga një vatër mbetjesh në një oaz gjelbërimi dhe rekreacioni për banorët përreth”.

Madje ministrja u ndal të diskutonte me “kolegët”, siç i cilësoi ajo punonjësit e sektorit të pastrim-gjelbërimit, për punët e mira të zhvilluara në Durrës.

Transformimi i fushës së dikurshme të plehrave të Durrësit në një park urban ka kushtuar rreth  13 milion euro.

Me 6 fusha sportive, kënde lodrash dhe hapësira rekreative, Eco Park është hapësira e dytë urbane e krijuar vitet e fundit në qytetin e Durrësit, pas parkut “Vala” të ndërtuar tek ish-fusha e rërës, në lagjen nr.18.

M.B.