E përjavshmja britanike rezervon të drejtën të padisë për shpifje në gjykatë ndërkombëtare botuesin e RD-së, kreun holandez të opozitës shqiptare Lulzim Basha

DURRËS, 25 dhjetor 2013 – Më 25 dhjetor 2013 opozita shqiptare uron besimtarët dhe popullin shqiptar nëpërmjet RD-së: “The Economist: Rama bie në 2014” (shih faksimilen kryesore). Por e përjavshmja prestigjioze britanike “The Economist” ka përgënjeshtruar menjëherë. Sipas saj, më 23 dhjetor 2013 në shkrimin (shih faksimilen) me titull “Protesting predictions” (Prognozat e protestave) nuk ka përmendur nominalisht Shqipërinë dhe nuk ka asnjë referencë se “Rama bie në 2014!”, sikurse ia atribuon thënien e përditshmja e opozitës shqiptare “RD”. Është konsideruar spekulim dhe manipulim mediatik. “The Economist”-i rezervon të drejtën të padisë në gjykatë ndërkombëtare për shpifje botuesin e RD-së, kreun holandez të opozitës shqiptare Lulzim Basha, i thanë “Dyrrah”-ut burime diplomatike të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.

TABELA

Në të vërtet, “The Economist” ka botuar një tabelë për klasifikimin e 150 shteteve të botës për riskun e trazirave sociale në vitin 2014 (shih faksimilen). Tabela i grupon shtetet në 5 klasifikime: rrezik shumë i ulët, rrezik i ulët, rrezik mesatar, rrezik i lartë, rrezik shumë i lartë. Shqipëria dhe 45 vende të tjera (mes të cilave Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Rumania, Turqia, Ukraina) përfshihen në grupin e shteteve me rrezik të lartë, kurse Greqia dhe Bosnjë-Hercegovina në grupin me rrezik shumë të lartë. Arsye për këtë janë, papunësia, tensionet sociale dhe varfëria. Kurse në pjesën tekstuale, shkrimi nuk ka asnjë referim për Shqipërinë. Bie në sy se RD-ja, po më 25 dhjetor 2013, botonte një shkrim ku lavdëronte Gylenin, kundërshtarin e Kryeministrit aktual turk Erdogan.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”