Nëse Teuta do të dinte të mbrohej më mirë pas golave të shënuar në fillim të çdo ndeshjeje, sigurisht që nuk do të gjendej në zonën e ftohtë të renditjes dhe do të kishte pikë më shumë.

Me përmbysjen e djeshme, skuadra e drejtuar nga Magani bëhet ekipi që ka pësuar më shumë disfata në Kategorinë Superiore, kur më parë kishte gjetur rrugën e avantazhit.

Përmbysja që pësoi dje ndaj Kukësit ishte e gjashta në këtë sezon dhe nga këto ndeshje, durrsakët kanë humbur 5 dhe kanë barazuar 1. Partizani e ka përmbysur dy herë, ndërsa disfatat e tjera kanë ardhur ndaj Kukësit, Lushnjës dhe Skënderbeut.

Në një ndeshje ndaj kurbinasve të Laçit, durrsakët kanë arritur të marrin barazimin 1- 1. E pashpjegueshme ajo që u ndodh bluve. Trajneri Magani mundohet ta quajë mungesë përqendrimi dhe jo problem fizik të ekipit.

Në një rast hipotetik, nëse Teuta do të dinte të mbronte avantazhin e arritur në fillimet e çdo ndeshjeje, tani do të kishte 18 pikë më shumë, por futbolli nuk është matematikë dhe përveç golit të avantazhit, duhet të ketë shumë komponentë të tjerë për të marrë 3 pikët.