Zhvillimet në popullsinë e Shqipërisë janë më të rënda se skenarët me pesimistë të INSTAT dhe Kombeve të Bashkuara.

Vitin e kaluar zyrtarisht lindën 22,210 foshnja, teksa skenari pesimist për ecurinë e popullsisë deri në vitin 2060 i zhvilluar nga INSTAT parashikonte që në të njëjtin vit të lindnin 27,281 foshnja. Krahasimi i të dhënave tregon se në realitet kanë lindur 5070 bebe ose 18.5% më pak se skenari më pesimist me 2023.

Në projeksionet e Kombeve të Bashkuara për ecurinë e popullsisë së Shqipërisë deri në vitin 2100 pritej që lindjet me 2023 të ishin mbi 28 mijë, por në realitet ato ishin 22 për qind më të ulëta.

Sipas OKB-së popullsia e Shqipërisë do të jetë rreth 1,1 milionë banorë deri në vitin 2100, por duke qenë se ecuria e lindjeve ka vijuar të ketë më keq se projeksionet ka të ngjarë që popullsia e përgjithshme e vendit të jetë më e ulët se çdo parashikim i bërë deri më tani.

Ekspertët e popullsisë kur bënë parashikimet në INSTAT ndërtuan projeksionet bazuar mbi pritshmëritë e lindjeve dhe vdekjeve, por treguesi që doli jashtë kontrollit është emigracioni.

Projeksionet janë ndërtuar mbi një cikël konstant emigracioni, por zhvillimet reale treguan se në dekadën e fundit ikjet jashtë vendit u intensifikuan sidomos në grupet e reja në moshë. Emigracioni neto është thelluar vitet e fundit, duke treguar gjithnjë e më shumë persona ikin se kthehen.

Qarqet e Veriut po pësojnë zbrazjen më të shpejtë vitet e fundit të prekura nga tkurrja e dyfishtë e popullsisë që vjen nga migrimit e brendshëm dhe i jashtëm.

Që nga viti 1945, qeveritë në Shqipëri kanë bërë regjistrime të rregullta të popullsisë (cense) të paktën një herë në 10 vjet, përveçse vitet e fundit. Censi i vitit 2020, që fillimisht u shty për rreth tre vite dhe tani të dhënat e para nuk do të jenë të disponueshme para qershorit 2024.

Grupet e interesit, si partitë politike, qeveria, komuniteti i biznesit dhe bota akademike i kanë emergjente të dhënat mbi popullsinë dhe banesat, pasi tranzicioni demografik është bërë shumë i ashpër nga emigracioni masiv. Politikat e zhvillimit po rezultojnë problematike nga të dhënat e pasakta mbi kapitalin human.

Nevojën më të madhe për të mësuar shifrën reale të popullsisë në vend e ka qeveria, e cila, në dekadën e fundit i ka përqendruar investimet në infrastrukturën rrugore në zonat periferike të vendit, duke lënë qendrën e vendit ku jeton më shumë se gjysma e popullsisë pa investime.

E njëjta situatë po ndodh edhe në sektorin e arsimit. Qeveria ka hapur shkolla dhe universitete në qarqe, të cilat po mbyllen për mungesë të nxënësve. E njëjta situatë edhe me investimet në shëndetësi. Duke mos pasur të dhëna të sakta për popullsinë, qeveria ka bërë shpërndarje të padrejtë të investimeve dhe politikave zhvillimore.

Në situatë të ngjashme janë edhe bizneset. Në një kohë që vendi po përjeton emigracion masiv, Shqipëria, sidomos Tirana, është përfshirë në një valë ndërtimesh të reja. Një nga metodat e INSTAT (rishikimi vjetor i popullsisë) evidenton se nga viti 2011-2022 janë larguar në emigracion 7.5% e popullsisë së vendit ose 213,748 persona. Ndërkohë sipërfaqja që është dhënë për leje ndërtimi në Tiranë ka arritur një nivel rekord në vitet e fundit./Monitor

Burimi: INSTAT, OKB