Portugali, 3 shtator 2014 – Eder është i vetmi sulmues i grumbulluar nga trajneri Paulo Bento për ndeshjen e parë eliminatore të Euro 2016 ndaj Shqipërisë. Futbollisti i Bragës do të ketë mbi supe peshën e golit ndaj kuqezinjve, të cilët në sfidën e fundit të luajtur në tokën luzitane arritën të marrin një barazim 0-0. Pikërisht sulmi ka qenë një prej pikave më të dobëta në këtë dekadën e fundit për përfaqësuesen portugeze, por Eder nuk i druhet sfidës madje premton gol ndaj Shqipërisë.
Në një intervistë të dhënë për të përditshmen portugeze “A Bola” ai u shpreh se është entuziast për rikthimin në kombëtare dhe se shpreson të bëjë një ndeshje të madhe ndaj skuadrës së De Biasit, në mënyrë që kombëtarja e tij t’i nisë mirë eliminatoret. Sipas sulmuesit të Bragës, të gjithë duhet të japin maksimumin në këtë ndeshje, pasi Shqipëria nuk duhet nënvlerësuar dhe çdo kundërshtar që kombëtarja e tij do të ketë përballë duhet marrë seriozisht. Për Ederin, synimi kryesor i përfaqësueses së tij në këto eliminatore është kualifikimi direkt për në Europianin e Francës. Më Portugalinë, Eder ka luajtur në total në 11 ndeshje, por ende nuk ka arritur të shënojë një gol.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





