Edgar Cani është futbollisti ri i Katanias. Sulmuesi i Kombë-tares kuqezi rikthehet në Itali pas një eksperience jo fort të këndshme në Poloni te skuadra  Polonia e Varshavës. Klubi italian njoftoi dje, fillimisht nëpërmjet një komunikate për shtyp, akordin me sulmuesin dhe më pas, rreth orës 15:00, bëri edhe prezantimin, shoqëruar me një konferencë për shtyp. Çani ka nënshkruar një kontratë për 3 vite e gjysmë (deri në qershorin e 2016-s) dhe do të përfitojë një pagë prej 750 mijë eurosh në sezon. Sulmuesi ka mbyllur në mënyrë të njëanshme marrëdhënien profesionale me Polonian e Varshavës muajin e kaluar dhe sipas medias së fqinjit tonë të përtej Adriatikut, ai është marrë te Katania si zëvendësues i Bergesios.

Çani prishi kontratën me klubin polak, i cili deri para pak kohësh kërkonte një milion euro për kartonin e tij, dhe ka shkuar te sicilianët me parametër zero. Para se të zbresë në fushë, lojtari do të duhet të presë edhe vendimin e FIFA-s për kartonin e tij, fakt ky që është theksuar dje edhe nga presidenti i Katanias, Pulvirenti. “Jam vërtet shumë i kënaqur që u bashkova me Katanian. Më mjaftuan vetëm dy fjalë me drejtorin për të zgjedhur këtë destinacion, sepse projekti i shoqërisë më duket interesant. Dua të jap një kontribut të madh për këtë skuadër. Në fushë luaj si qendërsulmues, por mund të aktivizohem në çdo rol, dhe për këtë do të vendosë trajneri.

Para dy vitesh ika nga Italia për disa arsye, por tani jam gati për aventurën e re. Shikoj një skuadër të uritur dhe të gatshme për të bërë shumë sakrifica. Trajnerët me të cilët jam përshtatur më mirë në karrierën time janë Kolomba dhe De Biasi, të cilët kanë ndikuar shumë në formimin e karakterit tim si lojtar”, ka thënë Çani dje për mediat. Sulmuesi është pyetur edhe lidhur me ngjashmërinë që ka me Bogdanin si dhe për idhullin e tij, Ibrahimoviç. “Me Bogdanin luajmë bashkë në Kombëtare dhe besoj se jam më i lëvizshëm se ai. Gjithsesi, një nga aspektet që duhet të përmirësoj këtu në Katania është mbrojtja e topit për të ndihmuar skuadrën të ngjitet në sulm. Ibrahimoviç është idhulli im. Ai më frymëzon më shumë. Mendoj se është sulmuesi më i kompletuar në qarkullim. Bergesio? Bëhet fjalë për një lojtar të madh që sakrifikon për skuadrën.

Dua të mësoj shumë nga ai”, ka thënë Çani. Shqiptari ka veshur edhe fanellën e Palermos në Itali (skuadër me të cilën bëri debutimin e tij në Seria A, më 27 prill 2008, kundër Atalantës), të Askolit, Padovës, Piacenzës dhe Modenës, para se të transferohej në Poloni. Atje ku shënoi 11 gola në 26 ndeshje në sezonin 2011-2012. Me Kombëtaren kuqezi, sulmuesi në fjalë ka shënuar 3 gola në 9 ndeshje të luajtura. Me këtë transferim, shkon në katër numri i legjionarëve kuqezinj që do të luajnë në Seria A. Përveç Lorik Canës te Lacio, Erjon Bogdanit te Siena dhe Samir Ujkanit te Palermo, edhe Edgar Çani bëhet pjesë e elitës së kampionatit italian.