Kolegu dhe miku i Hajdar Kovaçit, arkitekti tjetër i njohur i qytetit të Durrësit, Edgar Frashëri ka bërë një postim prekës në rrjete sociale për ndarjen e parakohshme nga jeta të 73-vjeçarit.

“Kemi ndarë së bashku pa u ndarë as edhe një ditë të vetme, emocione pune që nuk i kishim provuar më parë për dhjetë vite rradhazi nga viti 1991 kur krijuam së bashku atë punë që u bë shembull për gjithë vendin e jashtë tij. Kemi përfaqësuar për më shumë se gjashtë vite profesionin dhe prestigjin tonë ndër kolegët e Mesdheut e Afrikës. Sa suksese e vuajtje të ndara së bashku nuk harrohen kollaj”,– shkruan Frashëri në postimin e tij.

Duke iu referuar aftësive profesionale dhe vullnetit për punë të Kovaçit, kolegu i tij e cilëson Darin si motorin që e ndihmoi për të ngritur nga zero një punë të mirë, të bërë në grup.

“Një punë e ngritur në grup nga zero por që Dari ishte motori që tani iu shua karburanti. I palodhur, i papërtuar, bashkëbisedues i talentuar, me shokë të rrallë. Besnik i qytetit të vet që do t’i mungojë. Do të më mungojë dhe mua sa të kem frymë. I paharruar mbetsh!”,– e mbyll postimin e tij arkitekti Edgar Frashëri.

Frashëri e ka shoqëruar postimin e tij edhe me një foto të dy arkitektëve dhe intelektualëve të njohur të Durrësit, e shkrepur në në Tunis, me arkitektët e Mesdheut UMAR, në vitin 1999.