· Të hënën, më 21 prill 2014, tender për sistemime, meremetime dhe lyerje totale të godinave të filialit të SHISH-it Durrës, njëfarë “Kazablanke”, ku dynden shërbime të huaja sekrete, rrjete të krimit të organizuar kombëtar dhe ndërkombëtar të drogës, armëve, njerëzve
DURRËS, 19 prill 2014 – Edhe agjentët sekretë shqiptarë do të sigurohen për çdo të papritur shëndetësore dhe kur i hipin avionit për misione.
Të martën, ditë “ters”, më 22 prill 2014, qysh në 9 të mëngjesit, në aparatin qendror (terminologji lindore) të Shërbimit Informativ të Shtetit në Tiranë do të zhvillohet një tender jo fort i zakonshëm: blerje biletash avioni dhe siguracion shëndetësor me fond limit 25 mijë dollarë.
Meqenëse formularët zyrtarë kërkojnë të përcaktohet edhe afati për kryerjen e shërbimit, inteligjenca shqiptare, me sa duket, me të drejtë, për t’iu shmangur dekonspirimit, njofton se afati do të përcaktohet “grafikut, i cili do të hartohet në momentin e lidhjes së minikontratës midis blerësit dhe shitësit”.
Natyrisht, agjencitë ajrore do të ndodhen në siklet, pasi do t’u kërkohet të mos bujnë publikë emrat e atyre që do të marrin edhe kartën e siguracionit shëndetësor.
Po me siklet janë edhe firmat e ndërtimit që do të bëjnë sistemime, meremetime dhe lyerje totale të godinave të filialeve (terminologji biznesi) të SHISH-it në Himarë, Durrës etj.
Për ndërtesën e SHISH-it Durrës ka një fond limit prej 1 666 667 lekë, tenderi i të cilit zhvillohet në Tiranë, ditën e parë të javës, më 21 prill 2014.
Me të lidhur kontratën, ndërtuesit duhet t’i përfundojnë punimet brenda 40 ditësh kalendarike.
Nuk është i rastit kujdesi ndaj filialit të qytetit nr. 2 të Shqipërisë, pasi si qendër e madhe transporti, sidomos për shkak të portit dhe lundrimeve me traget, por edhe si pika më e madhe turistike e Shqipërisë, Durrësi shndërrohet edhe në njëfarë “Kazablanke”, ku dynden shërbime të huaja sekrete, rrjete të krimit të organizuar kombëtar dhe ndërkombëtar të drogës, armëve, njerëzve etj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





