Thellimi i gjirit në bazën detare të Kepit të Palit (Bishti i Pallës) ka të bëjë me faktin se ishte lënë krejt në mëshirën e fatit. Ministria e Mbrojtjes njofton se më 11 mars 2016 do të zhvillohet tenderi për thellimin e basenit në vendbazimin e Kepit të Palit, Durrës (faza e dytë) për nevoja të Komandës së Forcës Detare. Për këtë qëllim është vënë në dispozicion një fondi limit  42 369 564 lekë (mbi 300 mijë euro) nga buxheti i shtetit dhe të ardhura jashtë limitit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ky investim është në vijim të atij të- fazës së parë, kur nga buxheti në shtetit në vitin 2014 u dha një fond 16 334 700 lekë (116 mijë euro). Më 9 prill 2014 u zhvillua një tender i hapur për thellimin e kanalit, basenit të anijeve te Kepi i Palit, rikonstruksionin e limanit (faza e parë). Në prokurim ka marrë pjesë vetëm një firmë, e cila e ka ditur qysh më parë se nuk kishte konkurrentë të tjerë. Operatori ekonomik “Blumar-Skelë” shpk Vlorë, me administrator italianin Salvatore Costanzo, që ia ka blerë 100 për qind kuotat ortakut të vetëm Dashamir Tahiri, deputet i Kuvendit, ofroi një vlerë 16 334 700 lekë, shumë afër limitit. I kurseu shtetit… 22 254 lekë (158 euro)!

Info

Baza Ushtarake e Durrësit i ka fillesat e saj që në krijimin e flotës shqiptare, më 25 dhjetor 1925, pasi dy anijet e para që u blenë në Itali u bregëzuan në portin e Durrësit, nga ku, nën drejtimin e kapedanit Ahmet Kapidani, filluan ruajtjen e kufirit detar shqiptar. Në maj të vitit 1971, mbas kryerjes së punimeve disavjeçare në Kepin e Palit, filloi zhvendosja e anijeve nga moli lindor i portit në këtë bazë. Nga ky vit baza mori formë të plotë me infrastrukturë dhe anije, duke qenë një nga bazat më të rëndësishme të FLD-së.