TIRANË, 9 korrik 2013 – Më 2-4 korrik 2013, në qytetin Çuncin (Chongqing) të Kinës u zhvillua Takimi i Parë i Përfaqësuesve të Pushteteve Lokale të Nismës së Bashkëpunimit Kinë-Vende të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) dhe Panairi i Biznesit.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues nga 16 vende të Europës Qendrore e Lindore, duke përfshirë edhe ambasadorin e Shqipërisë në Kinë Kujtim Xhani, njoftoi Radioja e Jashtme e Kinës.

Në këtë aktivitet Shqipëria u përfaqësua nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme Kreshnik Çollaku, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar, kurse Rumania dhe Maqedonia me kryeministrat përkatës Viktor Ponta dhe Nikolla Gruevski.

Morën pjesë edhe përfaqësues të bashkive të Tiranës dhe Durrësit, njoftoi ministria shqiptare e Punëve të Jashtme.

Qëllimi i Nismës është nxitja dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Kinës dhe 16 vendeve të EQL, për çka Qeveria kineze ka krijuar një fond prej 10 miliardë dollarë.

Ky fond do të përdoret për financimin e projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme si infrastruktura, tregtia, arsimi, kultura, transporti etj.

Vendet pjesëmarrëse paraqitën në takim lehtësirat, kapacitetet dhe strukturën e krijuar për thithjen e investimeve të huaja në përgjithësi dhe atyre kineze në veçanti, ndërsa në panair kompanitë e këtyre vendeve ekspozuan prodhimet me të cilat synojnë tregun kinez.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/