Opozita shqiptare do të zhvillojë sot një protestë para Kryeministrisë në orën 12:00. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se do të dalë sot në protestë me familjen e tij, duke paralajmëruar një protestë paqësore.
Ndërkohë, nga rrethet, prej orëve të para të mëngjesit ka filluar nisja e organizuar e protestuesve me autobusë dhe mjete private.
“DurrësLajm” mëson se nga qyteti i Durrësit ka nisur po ashtu organizimi, nga ku mendohet që do të nisen rreth 5 mijë persona.
Burime të brendshme nga PD-ja e Durrësit, thanë që këtë radhë organizimi është bërë edhe me makina private, pasi qeveria po bën të pamundurën sipas tyre, të bllokojë protestën duke angazhuar autobusët nëpër ekskursione fëmijësh, shantazhuar me heqje licencash e patentash, etj.
Nisjet janë organizuar nga pika të ndryshme të qytetit, por pavarësisht pengesave, autobusët nuk do të mungojnë. Ato do të nisen nga Mauzoleumi i Dëshmorëve, nga selia e PD-së, nga ish-Këneta, stacioni i trenit etj. Ndërsa mjetet private që do të jenë më të menaxhueshme, do të nisen nga shumë pika të qytetit.
Opozita proteston sot për anulimin e zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, largimin e qeverisë ‘Rama 2’ dhe krijimin e një qeverie antimafia.





