12korrik 2015 –“Mjeshtri i madh i punës”, Gjergj Vlashi, do të festojë nesër 87-vjetorin e lindjes, ndërsa dy shtëpi botuese kanë bërë gati librat e tij të rinj.
“Bonsai me tregime” është vëllimi i dytë i ciklit me të njejtin titull që përmbledh 100 tregime të shkurtër të tjerë nga krijimtaria e tij dhe do të publikohet së shpejti nga shtëpia botuese “Jozef”, ndërsa romani i radhës titullohet “Vika” dhe do të botohet në vjeshtë nga shtëpia botuese “Buzuku” e Prishtinës.
Gjergj Vlashi është një nga krijuesit më prodhimtarë në vend. Ai u lind më 13 korrik të vitit 1928 dhe konsiderohet një nga personalitetet e spikatura të kulturës qytetare durrsake dhe kombëtare. Disa vjet më parë Gjergj Vlashi është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Durrësit.
Pas një kontributi të gjatë në fushën e regjisurës së estradës, vitet e fundit artisti i palodhur ka patur një krijimtari shumë të bollshme si shkrimtar dhe përkthyes. Që nga fillimi i viteve 1990 Vlashi ka botuar 15 libra me përkthime nga gjuhët gjermane, italiane, spanjolle, portugeze, angleze, etj., duke sjellë në gjuhën shqipe autorë të shquar të letërsisë botërore si Franz Kafka, Hose Saramago, Dino Buxati, Xhejms Olldrixh, Agata Kristi, etj.
Ndër të tjera ai ka botuar edhe tre antologji të tregimit hispanoamerikan, spanjoll dhe austriak të shekullit të 20-të, me emra të shquar si nobelistët Camillo Hose Sela dhe Huan Himenez, si dhe të autorëve të tjerë Vincente Blasko Ibanjez, Paolo Coelho apo Ramon Gomes della Serra.
Gjergj Vlashi është autor i 24 librave të gjinive të ndryshme që nga tregimi për fëmijë, deri te novela e romani. Lista e veprave që presin dritën e botimit është shumë më e gjatë.

87-vjeçari Gjergj Vlashi, i cili në vitin 1992 është nderuar me titullin “Artist i Popullit” që nga viti 1960 ka vënë në skenë mbi 100 premiera të varietesë me trupa të ndryshme të vendit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/