Në imagjinatën popullore, gërhitja bezdisëse gjatë natës i përket botës së të rriturve: duhanpirësit, personave mbipeshë ose gjyshërve që dremisin në kolltuk, shkruan salute.eu.
Megjithatë, ky fenomen prek edhe fëmijët më të vegjël, nga foshnjat 6 deri në 8 muajshe deri te adoleshentët.
Por pse gërhijnë fëmijët?
“Përgjigja pothuajse kurrë nuk lidhet me zakonet e jetesës, siç ndodh shpesh me të rriturit, por me një çështje hapësire dhe rritjeje”, shpjegon Giovanni Cristalli, kreu i Njësisë së Otorinolaringologjisë në Spitalin e Fëmijëve Bambino Gesù në Romë.
‘’Gërhitja nuk është vetëm një shqetësim zhurmash; ajo mund të ketë një ndikim të thellë në cilësinë e jetës së një fëmije. Një prind mund ta zbulojë problemin duke vëzhguar disa shenja tipike”, thekson Cristalli.
“E para është frymëmarrja me gojë: fëmija shpesh e mban gojën gjysmë të hapur. Pastaj vjen një zë nazal. Për më tepër rrathët e errët nën sy dhe lodhja. Ndryshe nga të rriturit që janë të përgjumur gjatë ditës, fëmijët që flenë keq shpesh janë të shqetësuar, të pavëmendshëm dhe mund të kenë vështirësi në të nxënë në shkollë’’, thekson eksperti.





