Kryeqyteti i turizmit nuk zhgënjen as këtë verë. Ashtu siç patën paralajmëruar që në muajin mars, operatorët turistikë në Durrës po i gëzohen sezonit më të suksesshëm të viteve të fundit.

Ndërsa jemi në ditët e fundit të qershorit, strukturat hoteliere janë duke punuar me thuajse 100% të kapaciteteve të tyre.              

“Ky sezon ka nisur mjaft pozitivisht në hotelin tonë. Kemi shumë rezervime dhe hoteli është thuajse plot gjatë gjithë verës. Jemi në pritje të shumë turistëve të tjerë, që do të vijnë nga shumë vende të botës. Kemi edhe nga vendet e rajonit, edhe nga Evropa Perëndimore, edhe nga SHBA, Britania e Madhe etj.”

E ndërsa në fundjavë thuajse të gjithë durrsakët dhe tiranasit i drejtohen detit Adriatik për t’u freskuar dhe marrë dozën e duhur të vitaminës D, turistët nuk shijojnë vetëm plazhin. Këto ditë qëndrimi në vendin tonë i shfrytëzojnë për të njohur sa më shumë Shqipërinë.

“Njerëzit, klima, plazhi këto janë disa nga gjërat që më pëlqejnë më shumë në qytetin tuaj. Në këtë periudhë nuk ka aq shumë fluks njerëzish sanë muajin gusht, prandaj më pëlqen shumë të pushoj tani. Ju jeni një vend shumë mikpritës”.

“Jam këtu prej 5 ditësh. Durrësi më pëlqen shumë, është shumë bukur këtu. Njerëzit janë shumë miqësorë, klima është fantastike. Shqipëria është e bukur, por edhe nga shërbimi në hotel jemi shumë të kënaqur. Po e shijoj qëndrimin këtu.”

“Dje ishim në një tur në Berat, pamë qytetin, shijuam ushqimin. Udhëtuam për rreth 2 orë me autobus për të shkuar atje dhe e shijuam udhëtimin. Në Shqipëri më pëlqejnë shumë çmimet, sepse i keni shumë më lirë krahasuar me pjesën tjetër të Evropës”.,- thonë disa nga turistët që ndodhen këto ditë në Shqipëri.

Pas goditjes së fortë që mori nga tërmeti dhe pandemia, sektori i turizmit në Durrës po jeton ditët e tij më të mira në dy vitet e fundit.

Në vitin 2023, autoritetet raportuan se 1.5 milion turistë vizituan qytetin bregdetar, ndërsa këtë vit shifra pritet të jetë edhe më e lartë.

M.B.