Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur se kryeministri Edi Rama po mban peng logon e Partisë Demokratike me metodat e tij.

Berisha tha se ose PD do ta zgjidhë këtë çështje, ose do të shuhet si forcë politike.

Ai shtoi se Rama kërkon që të zhdukë këtë forcë politike përmes horrave që nuk njohin as ligj e as moral, por sipas tij edhe nëse kryeministri e lan vendin me gjak, demokratët nuk dorëzohen.

“Nuk mund të na konfiskojë ne logon ai. A do mbrohet pluralizmi këtu apo jo. Edi Rama mund të bëjë ç’të dojë, mund të lajë me gjak këtë vend, por ne nuk dorëzohemi. Logoja e PD-së me vendim gjykate është e jona. Vendimi i gjykatës është në fuqi. Në çdo vend të botës kështu ndodh.

Por Edi Rama do të na shuajë me mekanizma të tilla. I kemi edhe ne të gatshme gjërat. Po e çove ti situatën me kundërshtarin për jetë a vdekje do të përballesh me pasoja. Por të na zhdukë ne ai me horra që s’kanë as ligj, as moral le ta provojë. O e zgjidh Partia Demokratike këtë, ose do të shuhet. Ne do të qëndrojmë për një parim shumë të madh”, u shpreh Berisha.