Në lagjen nr.13 në Durrës, në zonën e Plazhit, një bllok pallatesh është i rrethuar nga errësira.

Fotot që kanë mbërritur në redaksinë e “DurrësLajm” dokumentojnë situatën që krijohet çdo mbrëmje pranë stacionit të parë të autobusit, kur hapësirat përreth pallateve janë të mbuluara nga terri.

Shtyllat e ndriçimit publik janë komplet jashtë funksionit dhe pavarësisht ankesave të bëra nga banorët e zonës, situata nuk ka gjetur zgjidhje. Madje absurde duket edhe shiriti ngjitës që shfaqet në një nga poçat e ndriçimit!

“Mirmgjesi ju lutemi publikojeni pak kto foto stacioni i pare ne plazh jemi ankuar me mijera here po gjithmon na thone se do ti vendosim Led si perfundim asigjo dhe po na afrohet sezoni turistik esht turp edhe ne bagladesh nuk esht keshtu flm”,- shkruan në mesazhin e tij personi që na ka dërguar fotot.

Në prag të ndërrimit të viteve, ky komunitet banorësh mund ta presë vitin e ri i rrethuar nga terri, pasi mesa duket autoritetet do të rikthejnë ndriçimin publik në këtë zonë vetëm kur të planifikojnë të kryejnë investimin e ri.