TIRANË, 15 shkurt 2013 – Tani dhe në Shqipëri sistemi i inspektoratit elektronik ose “E-inspector”: inspektorët çdo gjetje të tyre në terren, qoftë në një dyqan mishi, fabrikë vaji, shkollë apo situatë mjedisore, do t’i shkruajnë e fotografojnë duke i hedhur automatikisht në sistemin elektronik. Kjo pasi inspektorët do të kenë kompjuterë dore, lap-top apo tableta, të lidhur në internet me sistemin qendror dhe raportimet e tyre nga terreni, çdo gjetje që ata hedhin në sistem do të jenë të pandryshueshme dhe të  kontrollueshme nga eprorët e tyre, pra shefat e inspektoratit, nga ministri i linjës dhe nga Inspektorati Qendror njëkohësisht, tha Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo.

Më 15 shkurt 2013, Inspektorja e Përgjithshme, Mimoza Hajdarmataj dhe drejtori i Misionit USAID në Shqipëri, Jim Barnhart, nënshkruan një marrëveshje për të mbështetur sistemin e E-Inspektimit në Shqipëri. Me anë të kësaj marrëveshjeje, USAID-i do t’i ofrojë Inspektoratit Qendror 260 paketa portabël të inspektimit, që përbëhen nga kompjuterë laptop dhe nga skanerë e printerë portabël. Inspektorët do t’i përdorin këto paketa në terren, për inspektime eficiente, on-line dhe në kohë reale.

Drejtori i Misionit USAID në Shqipëri, Z. Barnhart vuri në pah rëndësinë e reformës së inspektimit dhe faktin që, për herë të parë, Qeveria e SHBA-së po jep asistencë nëpërmjet sistemeve të Qeverisë Shqiptare.

(th.m./ AGJENCIA E LAJMEVE “DYRRAH”)