Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Toskas ka informuar deputetin e “Demokracisë së Re”, ish-ministër i Rendit në qeverinë “Samaras”, Vasilis Kikilias, se pakoja-bombë e postuar në zyrat e FMN-së në Paris kishte emrin e tij si dërgues.
Në këtë mënyrë konfirmohen informacionet se, edhe pakoja e dytë bombë që shpërtheu në mesditë në lagjen perëndimore të Parisit, është postuar nga Greqia dhe ka shumë mundësi të jetë dërguar edhe ajo nga grupi terrorist “Komploti i celulave të zjarrit”.
Ndërkohë, autoritetet franceze kanë dërguar tek homologët grekë dy fotografi nga pakoja që ka shpërthyer dhe që sipas specialistëve duket se është konstruktuar në të njëjtën mënyrë me atë të dërguar në Berlin një ditë më parë, përgjegjësinë për të cilën e ka marrë me një deklaratë në portalin anarkist “Indymedia”, grupi terrorist grek.
Fotografitë në fjalë tregojnë dhomën në të cilën është kryer shpërthimi, nga i cili është plagosur lehtë nëpunësi i FMN-së në duar dhe fytyrë.
Shqetësimi më i madh i organeve greke të Rendit është fakti se, të dyja bombat të postuara sipas të gjitha gjasave nga posta të kryeqytetit grek, janë transportuar me avionët e linjës nga Athina në Berlin dhe në Paris, me të cilët udhëtojnë edhe qindra udhëtarë.
Shërbimi Antiterrorist grek, që ka marrë përsipër hetimet në të dyja rastet, po kërkon nëse janë dërguar edhe pako të tjera bombë në zyra të ndryshme në Europë, ashtu siç kishte bërë grupi terrorist disa vite më parë.
Gjithsesi, nga sasia e vogël e dinamitit që kanë gjetur organet gjermane në pakon-bombë dërguar ministrit Schauble, vetëm 31 gramë, duket se terroristët kanë dashur më shumë të japin një mesazh, pasi kjo sasi është e pamjaftueshme të shkaktojë dëme më të mëdha në njerëz apo materiale.
Edhe pakoja-bombë në Paris, sërish nga Greqia
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit