Policia e Rajonit të Prizrenit ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për gjetjen e 26-vjeçarit shqiptar Meledin Adili, i raportuar i zhdukur që nga 4 shtatori.

26-vjeçari nga Borja e Kukësit, humbi në Bjeshkët e Sharrit, në kufirin Shqipëri-Kosovë, ku kishte dalë për të mbledhur boronica.

Për herë të fundit thuhet se është parë nga shokët e tij të punës, në vendin e quajtur Zhilibeg, që gjendet në afërsi të fshatit Brod të Komunës së Dragashit, ku kishte dalë për të mbledhur boronica.

Për gjetjen e tij, përveç Policisë se Kosovës dhe Shqipërisë, janë angazhuar edhe FSK-ja dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim, por pa rezultate.

“Personi i raportuar si zhdukur deri me sot nuk është gjet, andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse e shohin personin e njëjtë apo din diçka për vendndodhjen e tij të raportojnë Policin Rajonale në Prizren , apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë apo Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Kërkimet për Meledin Adilin janë duke vazhduar. Në kërkim janë përfshirë policia dhe ushtria e Kosovës, njësitet speciale të Policisë së Kosovës, vullnetarë nga Restelica, Brodi, Globoçica, Krusheva, Zlipotok dhe vendbanimet e tjera malore te Dragashit.

Shërbimet kompetente të komunës së Dragashit po monitorojnë intensivisht dhe po marrin pjesë në kërkim.

Policia e Kukesit është në kërkim të zonës me dronë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me policinë e Kosovës dhe atë të Maqedonisë së Veriut.